[ English ] [ Shqip ] [ Srpski ]
 
 






FORUMI
Fjalimi i përgaditur nga Don Shan Zefi, Kancelar ipeshkvinor, Kisha Katolike
Konferenca Ndërfetare mbi Koegzistencën Paqësore dhe Dialog
Patriarkana e Pejës
Pejë 2 -3 Maj 2006


Dr. Don Shan Zefi, kancelar ipeshkvnor
Vëllezër e motra!
Të nderuar pjesëmarrës!

Kemi nderin ta përshëndesim në emër të Kishës Katolike të Kosovës këtë Konferencë Ndërfetare mbi Koegzistencën Paqësore e Dialog, që Kisha Ortodokse Serbe dhe Organizata për Ndihma të Kishave Norvegjeze (Norwegian Church Aid – NCA) e organizauan këtu në Pejë. (2-3 Maj 2006)

Shpehim gjithashtu mirënjohje nikoqirit të Kësaj Konference Metropolit Amfilohije nga Mali i Zi, udhëheqësve të lartë klerikë që e morën bashkarisht këtë iniciativ të nevojshme në kohën e duhur, në mesin e të cilëve fatkeqësisht, nuk do të jetë më i pranishëm i ndjeri Imzot Mark Sopi, kontributi e shpirti i të cilit qe i madh për dialog dhe ekumenizëm, kështu besojmë se ai shpirtërisht edhe sot është i bashkuar me ne, sepse besonte në këto lëvizje dhe ishte njëri nga promotorët e tyre.

Ende para ardhjes sonë këtu në Patriarkanë, duke pare programin e përshtatshëm dhe pjesëmarrjen e shumë personaliteteve të larta kishtare e shtetërore në këtë takim, kemi ndjerë nevojën që të lutemi përpara që Zoti ynë ta ndriçoj mendjen e të gjithë pjesëmarrësv, ashtu që më mirë t’i gjejm ato pikat e përbashkëta ndërfetare, konvregjencën e tyre, në ecjen përpara, madje me një shpirt të hapur e vëllazëror që të mund t’i identifikojmë konkretisht iniciativat që do të shpinin në promovimin e kësaj konference, madje edhe si të domodsoshme për paqe, për nderimin e vërtetë të ndërsjelltë, për bashkëjetesën e bashkëpunimin ndërfetar dhe etnik dhe, mbi të gjitha, mbi dashurinë vëllazërore mes komuniteteve, sepse edhe ne jemi të shtyer t’I përngjajmë Krijuesit, Atij që është Dashuri.

Në periudhat duke filluar që nga ato të para luftës të viteve ’99, kemi pasur shumë pak relacione formale të ndërsjellta fetare, mirëpo fatëbardhësisht, çështja ka filluar të ecën në të mire fill pas luftës, e që shpie padyshim drejt një fryme të ri(njohjes), të mirëpajtimit, edhe pse lufta nuk kishte vetvetiu karakter religjioz.
S’mund të harrohen takimet interreligjioze brenda dhe jashtë vendit, si në Prishtinë, Vienë, Aman, Osllo, Sarajevë, Ankara e Tiranë që ndikuan pozitivisht në zbutjen e tensioneve të përgjithshme në shoqërinë tone. Dhe për këtë një meritë të madhe e ka padyshim Konferenca Botërore e Religjioneve për Paqe (WCRP) dhe Kishat që u përmendën më lartë Norvegjeze.

Edhe sot na përkujtohen rrugëtimet, zhvndosjet e dhunshme nga ngjarjet para, gjatë e pas luftës, masakrimet e demolimet e objekteve të kultit që nuk ishin në frymën e traditës sonë. Kujtesa e së kaluarës do duhej edhe më shumë të na mundësonte përparimin e pandalshëm teologjik për dialog të sinqertë, e jo për retorikë hipokrite dhe në përforcimin e dukshëm të raporteve vëllazërore, këtu në Kosovë në mes vëllezërve katolik, ortodoks e myslimanë.


Duke besuar në dialogun ndërfetar e në ekumenizëm, si diçka themelore në këtë fillim të mijëvjeçar të ri, kur po flitet e shkruhet gjithnjë e më shumë për përplasjet e mundshme të civilizimeve, kulturave dhe religjioneve, takimet ndërfetare e marrin peshën e vet që s’mund assesi të anashkalohen dot. Për këtë arsye do të doja që takimet e ardhshme të intensifikohen, më shumë në përmbajtje esenciale, sesa në formalitete, apo siç thuhet në gjuhën e popullit ‘ sa për sy e faqe”, ta rrahin çështjen e aktualitetit dhe të drejtohen prore nga e ardhmja për të përforcuar pranimin e mirëkuptimit e ndrërsjelltë.

Thënia e përkryer ungjillore e në të njejtën kohë edhe poaq e dëshirueshme
“ut unum sint”, që shpeshherë grishej nga Shenjtëria e tij Papa Gjon Pali II, vjen për të gjithë njerëzit vullnetmirë si një detyrim, si një bashkim, e cila na udhëzon jo në ndarje, por në përbashkësi qytetare e fetare dhe atë në një Zot të vetëm që ne i besojmë.

Nga pikëpamjet teologjike që kalimthi, aty-këtu, u përmendën sipër, duhet të na nxisin që takimi i kësaj Konference dyditore (2-3 Maj2006) të mos jetë një gjest i natyrës kurtoaze, por një përgjigje sadopak e denjë ndaj sfidave të ndryshme në shoqëri, me qëllim që shkaqet të cilat akoma na ndajnë, bashkërisht të vazhdojmë të bëjmë atë që është në fuqinë njerëzore.

Konfliktet e grumbulluara nga e kaluara për arsye të luftërave nuk lejojnë që të shohim qartë përpara dhe, natyrisht e rëndojnë mirëkuptimin e përbashkët edhe fetar. Mos të na ndalin asnjë pengesë në këtë drejtim të vullnetit të mirë, por të ecim përpara me shpresë të ngultë dhe me ndihmën e Zotit, sidomos gjatë këtij viti kur po pritet të zgjidhet përfundimisht çështja e Kosovës në favorr të të gjithë qytetarëve të saj. Edhe ne në këtë aspekt do të duhej ta japim kontributin tonë, atë të paqës dhe të dialogut.

Urojmë, këtu në fund që kjo konferencë të përcillet edhe me lutjet tona që të jetë sa më e frytshme!

Dr. Don Shan Zefi, kancelar ipeshkvnor


Reactions | Number of reactions: 0
FORUMI

Fjalimi i përgaditur nga Don Shan Zefi, Kancelar ipeshkvinor, Kisha Katolike

Konferenca Ndërfetare mbi Koegzistencën Paqësore dhe Dialog
Patriarkana e Pejës
Pejë 2 -3 Maj 2006



OTHER ARTICLES
Read other articles

REACTIONS
© 1998-2005 CDRSEE, KosovaLive, Medijski Centar Beta
Përmbajtja e faqes së internetit www.kosovakosovo.com është përgjegjësi e Qendrës për Demokraci dhe Pajtim, Agjencisë së Lajmeve KosovaLive dhe Qendrës Mediale Beta, dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e donatorëve për Forumin Informativ Shqiptaro-Serb.