[ English ] [ Shqip ] [ Srpski ]
 
 






LAJMET
Kushtetuta, ligji për zgjedhjet dhe simbolet shtetërore vlerësohen si urgjente

PRISHTINË, 18. prill 2007. (KosovaLive) - Ekipi i Unitetit të Kosovës të mërkurën ka vlerësuar si punë urgjente kushtetutën e re, ligjin për zgjedhjet dhe për simbolet shtetërore, dhe për këto tri çështje deri në fund të muajit maj duhet të ketë një vendim.

Sipas zëdhënësit të Ekipit të Unitetit, Skënder Hyseni se në këtë takim është biseduar edhe për vizitën e misionit fakt-mbledhës të Këshillit të Sigurimit javën e ardhshme, ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Agim Ceku ka raportuar për vizitën e tij në Nju Jork.
Hyseni tha se kushtetuta, ligji për zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen gjashtë muaj pas miratimit të Rezolutës së OKB-së, dhe një vendim për simbolet shtetërore të Kosovës, janë vlerësuar si tri çështje më urgjente për të cilat duhet marrë një vendim.
Ekipi i Unitetit ka bërë një rekapitullim të punës në Nju Jork dhe po kështu ka identifikuar disa nga prioritete afatshkurtra që lidhen drejtpërdrejt me statusin dhe procesin në Këshillin e Sigurimit dhe me vizitën e ardhshme të misionit fakt-mbledhës.
“Me rastin e ardhjes në Prishtinë të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit Ekipi i Unitetit ka marrë një qëndrim, që do të thotë se Kosova nuk ka asgjë për të fshehur dhe anëtarët e KS janë të mirëseardhur të shohin gjithë progresin dhe të arriturat e pasluftës, që ka shumë”, tha Hyseni.
Sipas tij, gjatë javëve në vijim do të bëhen përpjekje që kosovarët edhe në nivel të lartë zyrtarë të jenë sa më të pranishëm në Nju Jork, por edhe në vendet të cilat nuk kanë një qëndrim të qartë për Kosovën.
(Fund)




Gjermania mbështet pakon e Ahtisaari-t dhe kërkon paqe e tolerancë në Kosovë

PRISHTINË, 18. prill 2007. (KosovaLive) - Një grup ligjvënësish nga Bundestagu, të cilët po qëndrojnë për një vizitë në Kosovë, deklaruan të mërkurën në Prishtinë se Berlini zyrtar i jep mbështetje të plotë projektit të Ahtisaari-t për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe premtuan që këtë mbështetje ta kërkojnë edhe tek vendet tjera të BE-së.

Ata i bënë këto komente pas një takimi që zhvilluan me kryetarin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Deputeti i socialdemokratëve gjermanë në Bundestag, Axel Schafer, tha se tash ka ardhur koha që statusi i Kosovës të përmbyllet.
Socialdemokratët gjermanë, ndërkaq sipas tij, gjatë periudhës vijuese presin një situatë politike ku do të mbizotërojë paqja dhe toleranca.
“Ne përkrahim propozimin e Ahtisaari-t për zgjidhjen e statusit të Kosovës, dhe kjo është shprehur edhe përmes një deklarate të ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Steinmeier”, u shpreh ligjvënësi gjerman, Schafer.
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, siç tha në vazhdim ai, në deklaratën e Berlinit e kanë treguar pozitën e tyre unike për të ardhmen e Kosovës. Po ashtu edhe pesë anëtarët tjerë të BE-së që janë anëtare të Këshillin e Sigurimit, sipas Axel Schafer, do të japin mendimin e tyre në KS.
(Fund)




UNMIK ende s’është njoftuar me agjendën e misionit fakt-mbledhës

PRISHTINË, 18. prill 2007. (KosovaLive) - Zyrtarë të UNMIK-ut rikonfirmuan të mërkurën se ende nuk kanë ndonjë njoftim zyrtar të agjendës apo programit të misionit fakt-mbledhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që pritet të vijë në Kosovë më 26 prill, mirëpo theksuan se janë të përgatitur për ta pritur një mision të tillë.

Këto komente i bëri zëdhënësi i UNMIK-ut, Neeraj Singh, gjatë konferencës së rregullt për gazetarë të pranisë ndërkombëtare në vend, duke njoftuar edhe përfundimin e misionit të tij në Kosovë.
“Deri tash ne ende nuk kemi njoftim zyrtar, i cili duhet të përkufizojë kushtet e punës të delegacionit të KS-së së OKB-së”, tha ai.
Sipas tij, ky delegacion i KS-së së OKB-së pritet që ta vizitojë Kosovën me 26 dhe 27 të këtij muaji.
“Ne kemi punuar së bashku me Ekipin e Unitetit dhe po ashtu kemi zgjeruar disa programe për Nju Jork, që të gjitha informacionet që i duhen misionit fakt-mbledhës për vizitën në Kosovë, t’i kenë të gjitha njohuritë në të gjitha fushat”, deklaroi Singh.
Ai tha se deri tash nuk kanë një program të këtij misioni dhe për këtë arsye edhe gazetarëve nuk mund t’u ofrojnë më shumë hollësi lidhur me këtë vizitë.
(Fund)




Monk pohon se plumbat e rumunëve kanë qenë me afat të skaduar përdorimi

PRISHTINË, 18. prill 2007. (KosovaLive) - Plumbat e gomës, të përdorur nga policët rumunë në demonstratën e 10 shkurtit, të organizuar nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’, ku humbën jetën 2 qytetarë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, kanë qenë me afat të skaduar përdorimi, nuk kanë qenë helmues, por gomën e kanë pasur shumë të fortë, tha të mërkurën komisari i policisë së UNMIK-ut, Richard Monk.

Monk i bëri këto komente në konferencën e rregullt për gazetarë të pranisë ndërkombëtare në vend.
Ai tha se plumbat e përdorur në demonstratën e 10 shkurtit janë prodhuar në vitin 1991 dhe kishin afat përdorimi 3 vjet, ndërsa ata janë përdorur në këtë demonstratë, 12 vjet pas afatit të skaduar.
“Unë kam urdhëruar që municioni, i cili është aktualisht është në posedim të ndonjë njësie të specializuar, me afat të skaduar të dërgohet në shtëpi ose të shkatërrohet”, tha ai, duke shtuar se policia është zotuar se vdekjet dhe lëndimet e rënda që kanë ndodhur me 10 shkurt nuk do të ndodhin më.
Ai tha se menjëherë pas 10 shkurtit, ka filluar një hetim i brendshëm nga ekspertët e rendit publik.
Në bazë të rishikimit të brendshëm, sipas tij, është gjetur se ka pasur defekte në shumë aspekte.
Duke folur rreth paralajmërimeve të ministrit Blerim Kuçi për ndryshime në strukturën komanduese të policisë, ai tha se nuk është njoftuar se kërkohet ndonjë ndryshim, por shtoi se do të bëhen lëvizje për t’u siguruar praktika më të mira komanduese.
(Fund)




Raporti i UNDP-së tregon se gjysma e të rinjve synojnë emigrimin

PRISHTINË, 18. prill 2007. (KosovaLive) - Në një anketë të UNDP-së, e cila u prezantua të mërkurën në Prishtinë, thuhet se tek të rinjtë kosovarë prin varfëria e skajshme, papunësia e madhe që është më e larta në Evropë, mungon pjesëmarrja e tyre në vendimmarrje, në politikë dhe pothuajse gjysma e tyre, pa dallime etnie, do të emigronin po të kishin mundësi.

Raport i UNDP–së ka prezantuar gjendjen dhe qëndrimet e rinisë kosovare, e cila përbën më shumë se gjysmën e popullsisë. Raporti paraqet statistikat më të mira të disponuara që kanë të bëjnë me gjendjen e të rinjve dhe qëndrimet e tyre.
Ky raport përbën të dhëna, si përqindja e varfërisë tek të rinjtë, papunësia, niveli i arsimimit, dëshira për t’u larguar nga Kosova, komunitetet etnike dhe statistika të tjera të rëndësishme që mund të përdoren nga përcaktuesit e politikave dhe agjencitë zhvillimore, në punën e tyre në shtimin e gjasave të të rinjve kosovarë për një jetë më të mirë në Kosovën e re.
Mostra ka përfshirë 1.200 persona të moshës 15 deri në 29 vjeç, 800 prej tyre shqiptarë, 200 serbë dhe 200 pakica të tjera, dhe kjo mostër ka përfshirë zonat urbane me 44,6 për qind dhe ato rurale 55,4 për qind.
Sipas kësaj ankete, rreth 50% e popullsisë, pa dallime etnie, do të emigronin po të kishin mundësi.
Sa i përket varfërisë, në raport thuhet se varfëria e skajshme është e përhapur më shumë tek fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 24 vjeçare. Të gjithë së bashku, ata zënë rreth 57 për qind të të varfërve të skajshëm, ndërsa vetëm të rinjtë e grupmoshës prej 15 deri në 24 vjeç, zënë 22,4 për qind.
(Fund)




Ekipi i Unitetit Themelues kujdeset për 120 ditët e para pas statusit

PRISHTINË, 16. prill 2007. (KosovaLive) - Anëtarët e Ekipit të Unitetit, i cili tash e tutje do të quhet Ekipi i Unitetit Themelues të Kosovës, thanë se marrja e përgjegjësive të reja për periudhën 120 ditëshe të passtatusit nuk do të thotë përzierje në punët e qeverisë, por ka të bëjë më shumë me punët të cilat duhet t’i garantojnë Kosovës pajisjen me legjislacion dhe implementim të pakos së Marrti Ahtisaari-t.

Anëtarët e Ekipit të Unitetit deklaruan kështu të hënën në Aeroportin e Prishtinës me t’u kthyer nga konferenca e organizuar nga “Rockefeller Brothers Fund”, që u mbajt javën që shkoi në Nju Jork të SHBA-ve, për sfidat që e presin Kosovën në 120 ditët e para pas statusit.
Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se në atë konferencë është arritur të shtrohen prioritetet për 120 ditët e passtatusit por që, sipas tij, nuk do të thotë se nuk do të lëvizet edhe në aspektet e tjera në kohën që vjen.
Ai tha se deklarata nga konferencën e Nju Jorkut për punën e mëtutjeshme të këtij ekipi është një tekst i cili është realist dhe pjesë e bisedimeve që anëtarët e ekipit kanë pasur edhe më herët.
“Kjo nënkupton edhe pjesë të potencialeve që mund të shtohet në bashkëveprim për implementimin e marrëveshjes që do të jetë një bazë e sprovës që nuk do të jetë mjaftë e lehtë. Për ne me rëndësi është që të përballemi suksesshëm me realitetin që e kemi përpara”, tha Sejdiu.
(Fund)




Ruecker e Kather thonë se në Kosovë po ndërtohet shoqëri demokratike

PRIZREN, 16. prill 2007. (KosovaLive) - Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Roland Kather, thanë të hënën gjatë ceremonisë së përfundimit të projektit të gjimnazit të parë privat “Loyola” në Prizren se në Kosovë po ndërtohet shoqëri demokratike, që është parakushti themelor i të ardhmes së mirë të të gjithëve në këtë vend.

Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker tha se veprat si “Loyola”, në të cilën janë të ftuar personalitet të të gjitha besimeve, tregon se Kosova është një shoqëri demokratike dhe është në rrugë të mirë drejt ardhmërisë së saj, duke shtuar se “kjo është kohë vendimtare për Kosovën”.
Komandanti i trupave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë, gjenerali gjerman, Roland Kather, ndërkaq tha se Kosova ka popullatën më të re në Evropë dhe kjo përbën optimizëm të madh për të ardhmen e saj.
“Dëshiroj që nga ky gjimnaz të dalë një sinjal i përbashkët për të gjithë, pa dallim etnie apo gjinie, pasi kultura dhe arsimi janë kryesoret për një shoqëri, ndërsa KFOR-i do t’i ndihmojë të gjitha shkollat që të ecin përpara”, tha ai.
Autoritetet më të larta vendore e ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, sikurse edhe ato të shkollës, vlerësuan si të dukshme rezultatet e arritura brenda një kohe të shkurtër në gjimnazin “Loyola” të parin privat në Prizren.
(Fund)




Mospërfshirja e Kosovës në lehtësimin e vizave “Schengen” shihet si diskriminim e izolim

PRISHTINË, 16. prill 2007. (KosovaLive) - Federalistët e Rinj Evropian dhe “European Citizens”, reaguan të hënën kundër mos-përfshirjes së Kosovës në Marrëveshjen për Lehtësimin e vizave “Schengen” që u realizua të premten në Zagreb, ndërmjet përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe tri shteteve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Federalistët e Rinj Evropian dhe “European Citizens”, ndërkaq konsiderojnë se vendimi i BE-së për anashkalimin e Kosovës nga kjo marrëveshje, “është edhe një diskriminim nga ana e vendeve të BE-se që i bëhet Kosovës, në kohën kur mijëra qytetarëve të Kosovës iu refuzohet viza për të udhëtuar më lehtë në vendet e BE-se”.
“Ky diskriminim e thellon izolimin e Kosovës nga vlerat që promovon Unioni Europian dhe është në kundërshtim me parimet mbi të cilat është etabluar BE-ja. Ky diskriminim e bënë Kosovën një vend të izoluar në shek XXI, dhe e përforcon idenë se Kosova është vrima e zezë në Evropë. Ky diskriminim është në kundërshtim me vet politikën e BE-së në Kosovë”,thuhet të reagimin e Federalistët e Rinj Evropian dhe “European Citizens”.
Nuk ka asnjë arsyetim, sipas tyre, që të mos arrihej një marrëveshje me administratën e UNMIK-ut si titullar i marrëveshjeve kontraktuale e më pas, siç thonë ata, marrëveshja si titullar do të kishte institucionet e shtetit të Kosovës.
(Fund)




KNS shprehet kundër forcave shtesë të SHPK-së në veri

MITROVICË, 16. prill 2007. (KosovaLive) - Këshilli Nacional nga veriu i Kosovës e ka dënuar në mënyrë më të ashpër dërgimin shtesë të pjesëtarëve shqiptarë të Shërbimit Policor të Kosovës në veri të Mitrovicës.

Kryetari i KNS i veriut të Kosovës, Milan Ivanovic ka vlerësuar se caktimi i policëve shqiptarë në shërbim në pjesën veriore të Mitrovicës është në kundërshtim me marrëveshjen e mëhershme mes shefit të UNMIK-ut dhe përfaqësuesve serbë, sikur edhe kundër marrëveshjes së komandantit rajonal të policës së UNMIK-ut dhe përfaqësuesve të KNS.
“Është e qartë se këtu ekzistojnë synimet që të bëhet presion mbi serbët, në mënyrë që më lehtë të pranojnë implementimin e ndonjë Kosove të tyre virtuale, të imagjinuar, të pavarur”, ka deklaruar Ivanovic.
Ai ka kërkuar që të gjithë policët shqiptarë “pa shtyrje, të tërhiqen nga veriu i Kosovës, meqë prania e tyre me arsye shkakton shqetësimin serioz të serbëve, të cilët do t’i kundërvihen këtij vendimi të UNMIK-ut me të gjithat mjetet demokratike dhe legjitime.
“Po ashtu është fakt se me këtë nuk respektohet marrëveshja mes Republikës së Serbisë dhe administratës së UNMIK-ut, që në mjediset etnikisht të pastra serbe mund të jenë vetëm policët që i përgjigjen përbërjes etnike të atij mjedisi”, ka shtuar Ivanovic.
Ai po ashtu ka thënë se në “Leposaviq dhe Zubin Potok, serbët i ndalojnë patrullat të përbëra ekskluzivisht nga policët shqiptarë të SHPK-së”.
(Fund)




Gjatë këtij muaji fillon ndërtimi i “fshatit ndërkombëtar”

PRISHTINË, 16. prill 2007. (KosovaLive) - Kompania shqiptaro- amerikane nga Nju Jorku “SGI”, e cila ka fituar tenderin për ndërtimin e “fshatit ndërkombëtar” në Hajvali, pritet të fillojnë punimet brenda këtij muaji, pas që sipas zyrtarët komunalë, kompania në fjalë i ka kryer të gjitha obligimet ndaj komunës.

Ekrem Rexha, menaxher në Zyrën e prokurimit në komunën e Prishtinës, tha për KosovaLive se kompania “SGI” ka përfunduar të gjitha detyrimet që i ka pasur ndaj kësaj zyreje.
“Kompania ‘SGI’, ka bërë pastrimin e terrenit në Hajvali, gjithashtu ka bërë edhe rrethimin e tij dhe pritet së shpejti të fillojë edhe ndërtimin”, tha ai.
Rexha njoftoi se ndërtimi i fshatit ndërkombëtar pritet të realizohet brenda 5 vjetëve të ardhshme, ndërkaq se për çfarë destinimi dhe si do të jetë ky projekt, do të bëhet publike së shpejti.
“Destinimi i këtij ndërtimi, do të bëhet e ditur nga vet kompania, e cila me fillimin e ndërtimit, do të bëjë të njohur për opinion të gjitha hollësitë nga ky projekt”, tha ai
(Fund)




1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 >>
SEARCH
Key words

From date

Till date


FORUMI

Fjalimi i përgaditur nga Don Shan Zefi, Kancelar ipeshkvinor, Kisha Katolike

Konferenca Ndërfetare mbi Koegzistencën Paqësore dhe Dialog
Patriarkana e Pejës
Pejë 2 -3 Maj 2006


© 1998-2005 CDRSEE, KosovaLive, Medijski Centar Beta
Përmbajtja e faqes së internetit www.kosovakosovo.com është përgjegjësi e Qendrës për Demokraci dhe Pajtim, Agjencisë së Lajmeve KosovaLive dhe Qendrës Mediale Beta, dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e donatorëve për Forumin Informativ Shqiptaro-Serb.