[ English ] [ Shqip ] [ Srpski ]
 
 






LAJMET
Sohlstrom: BE ka plane për ndihmë financiare në procesin e passtatusit

PRISHTINË, 12. prill 2007. (KosovaLive) - Kosova ka hyrë në periudhën më të rëndësishme në procesin e definimin të statusit dhe nxjerrjes së rezolutës së Këshillit të Sigurimit, tha shefi i ekipit përgatitor për Zyrën civile ndërkombëtare, Torbjorn Sohlstrom, gjatë një debati me studentët e Universitetit për Biznes dhe Teknologji.

Sohlstrom ka theksuar se prania e ardhshme ndërkombëtare do të jetë një ndihmë që institucionet e Kosovës të jenë më të përgatitura dhe të kenë sukses më të madh në periudhën e passtatusit dhe shumë shpejtë të integrohen në Bashkimin Evropian.
Ai me këtë rast tha se për Bashkimin Evropian është me rëndësi përgatitja për marrjen e rolit udhëheqës në Kosovë, në sundimin e ligjit dhe ndihma në aspektin financiar për Kosovën.
“Këshilli i Sigurimit ka filluar diskutimet të cilat janë të bazuara në planin e propozuar të kryendërmjetësi Martti Ahtisaari. Rreth këtij propozimi ka pasur diskutime të shumta, për të cilin vlerësoj se është propozim i mirë, që përmban elemente për një jetë të mirë për të gjithë njerëzit në Kosovë”, tha Sohlstrom, duke folur për procesin e definimit të statusit të Kosovës.
Ai edhe një herë ka përsëritur faktin se Bashkimi Evropian e mbështet propozimin e Ahtisaari-t dhe se janë duke bërë çdo gjë që është e mundur së bashku me partnerët në bashkësinë ndërkombëtare për t’u siguruar se Këshilli i Sigurimit do ta sjellë një vendim duke u bazuar në propozimin e Ahtisaari-t, sa më shpejtë që është e mundur.
(Fund)




Mauring: Kur të fillojë të zbatohet plani i Ahtisaari-t, ndikimet politike do të mbesin anash

PRISHTINË, 12. prill 2007. (KosovaLive) - Nga një hulumtim me opinionin publik, që është kryer nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në kuadër të Raportit për Paralajmërim të Hershëm, ka dalë se shqiptarët dhe serbët e Kosovës kanë qëndrime të kundërta për planin e Martti Ahtisaari-t për statusin e Kosovës, por ata ndajnë të njëjtin mendim se plani krijon themelet për pavarësinë e Kosovës.

Shumica e shqiptarëve të Kosovës dhe pakicave jo serbe kanë qëndrim pozitiv për propozimin e të dërguarit të posaçëm për statusin Martti Ahtisaari, ndërsa shumica e serbëve kanë qëndrim negativ për atë propozim.
Kjo u bë e ditur nga ana e zyrtarëve të UNDP-së, të enjten në një konferencë për gazetarë në Prishtinë.
Raporti ka treguar se shqiptarët e Kosovës kanë si brengë kryesore papunësinë dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa për serbët, brengë kryesore vazhdon të mbetet siguria.
Shefi i UNDP-së në Kosovë, Frode Mauring tha se në bazë të vlerësimeve të fundit, gjendja në vend është stabile, megjithatë janë marrë perceptime të ndryshme nga ana e qytetarëve të Kosovës lidhur me zhvillimet në vend.
Shumica e shqiptarëve të Kosovës kanë mendime pozitive për propozimin e Ahtisaari-t që është paraqitur në pako.
(Fund)





Ekspertë e zyrtarë lokalë thonë se decentralizimi në Kosovë është i politizuar

PRISHTINË, 12. prill 2007. (KosovaLive) - Procesi i decentralizimin në Kosovë, që nga fillimi ka qenë dhe vazhdon të jetë i politizuar, u tha të enjten, në seminarin “Decentralizimi – Eksperimentet dhe Reformat”, të organizuar nga Instituti Kosovar për Zhvillim dhe Dokumentim (KODI).

Drejtori ekzekutiv i Asociacioni të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ndërkaq tha për KosovaLive se procesit të decentralizimit nga fillimi u ka dhënë një konotacion politik dhe është shikuar fare në brendi të procesit, prandaj siç tha ai, ky proces vazhdon të jetë i politizuar.
“Ne kërkojmë që ky proces të mos jetë politikë aq sa është tani, por të jetë proces praktik, kështu që kërkojmë që të bëhet bartja e përgjegjësive nga niveli qendror në atë lokal, gjithmonë duke u bazuar në Kartën Evropiane për qeverisje lokale”, tha ai.
Ibrahimi pranoi faktin se eksperiencat e vendeve tjera do të ndihmojnë shumë në lehtësimin e këtij procesi në Kosovë dhe sipas tij, është mundësi e mirë krahasimi i procesit të decentralizimit me ato shtete që tashmë e kanë kaluar këtë fazë.
(Fund)




Në sulmin ndaj kreut të ART-së, plagoset një pjesëtar i SHPK-së

PRISHTINË, 12. prill 2007. (KosovaLive) - Është sulmuar përsëri kryetari i ART-së Anton Berisha, të enjten, rreth orës 16:25, në fshatin Balincë, me ç’rast është lënduar një pjesëtar i Shërbimit Policor të Kosovës në veturën që ishte në përcjellje të tij, konfirmuan për KosovaLive burimet e SHPK-së, brenda stacionit policor në Malishevë.

Sulmi është kryer me mortajë dore, afër vendit ku ishte kryer sulmi i mëhershëm ndaj kryetarit të ART-së .
Po sipas burimeve të Shërbimit Policor të Kosovës në Malishevë, pjesëtari i lënduar i SHPK-së është dërguar në QKUK në Prishtinë dhe është jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë rreth orës 17:15 njësitë patrulluese të stacionit policor të Drenasit arrestuan tre meshkuj të dyshimtë kosovar/shqiptar në fshatin Gjurgjicë të cilët dyshohet të jenë të involvuar në këtë rast sulmi, thuhet në një njoftim të Zyres për informim publik të Shërbimit Policor të Kosovës.
(Fund)




Grushtet e këshilltarëve ndërpresin mbledhjen e kuvendit të Ferizajt

PRISHTINË, 12. prill 2007. (KosovaLive) - Një pjesë e kuvendarëve të Ferizajt, kanë zgjedhur të enjten grushtet, shishet e plastikës dhe fjalët fyese, për të zgjidhur pikëpamjet e kundërta dhe inatet personale në mbledhjen e Kuvendit Komunal (KK), e cila ishte thirrur për të shqyrtuar punën e qeverisë lokale për vitin 2006.

Përleshja fizike filloi kur këshilltari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), Ilmi Hashani, hodhi një shishe plastike me ujë në drejtim të këshilltarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Sejdiu, por shishja goditi këshilltarin Abdullah Hoxha, i cili ia ktheu në të njëjtën mënyrë kolegut të tij Hashani.
Pastaj, për disa minuta, kuvendi u shndërrua në arenë përleshjesh, në të cilën vështirë merrej vesh se kush grushtonte, e kush përpiqej t’i ndante këshilltarët.
Pas qetësimit të gjakrave, u mor vesh se këshilltarët e përfshirë në rrahje, nuk kanë pësuar ndonjë lëndim serioz.
(Fund)




Sejdiu e Kather të bindur se Kosova mund të përballojë në qetësi përcaktimin e statusit

PRISHTINË, 10. prill 2007. (KosovaLive) - Vetëm ai që mund të jetë jashtë rrjedhave normale të jetës dhe zhvillimeve në Kosovë, që nuk e dëshiron rrjedhën normale të stabilitetit në vend dhe vetëm njerëzit e “krisur”, mund të ndikojnë në destabilizimin e situatës aktuale në vend, tha të martën kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ai bëri këto komente pas një takimi që pati me komandantin e KFOR-it, gjeneralin gjerman Roland Kather.
“Unë e di se KFOR-i do të mbetet faktori më i rëndësishëm në fushën e sigurisë në Kosovë, për të ndihmuar popullin e vendit, duke mos përjashtuar edhe fusha tjera, që mundësojnë stabilitetin e vendit, por edhe të rajonit”, tha Sejdiu.
Gjendja e sigurisë në vend, sipas Sejdiut është stabile dhe klima e përgjithshme është e mirë, kurse gatishmëria e qytetarëve është në gjendje të mbështes dhe ndihmojë këtë proces të rëndësishëm.
“Kosova është e gatshme të jetë anëtare e familjeve të mëdha dhe të njohura e të lira si dhe të funksionojë si shtet normal”, përfundoi Sejdiu.
Komandanti i KFOR-it, gjenerali Roland Kather, duke konfirmuar përkushtimin e trupave paqeruajtëse për ta ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë, tha se komandantët dhe ushtarët e KFOR-it i ka porositur që gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm të përqendrohen në komunikim dhe dialog.
(Fund)




Lidershipi vlerëson se misioni faktmbledhës nuk do të sjellë asgjë të re

PRISHTINË, 10. prill 2007. (kosovaLive) - Institucionet kosovare vlerësojnë se misioni faktmbledhës i Këshillit të Sigurimit nuk do të sjellë asgjë të re pasi që progresi në Kosovë është evidentuar edhe nga OKB-ja, ndërsa deklarojnë se nuk presin ndonjë incident, i cili do të ndikonte që ai mision të bënte ndonjë raport negativ për vendin.

Liderët institucional me rastin e ardhjes së këtij misioni thonë se nuk e dinë se si do të realizohet kjo vizitë, por janë të bindur se ata që duan ta destabilizojnë situatën, e cila është shumë e mirë në Kosovë, janë njerëz të krisur dhe nuk ia duan të mirën vendit.
Siç dihet, Këshilli i Sigurimit, me kërkesë të Rusisë do të dërgojë brenda këtij muaji një mision faktmbledhës, për të vlerësuar të arriturat në Kosovë, ndërsa nga kosovarët ky hap konsiderohet si blerje kohe për Serbinë, derisa shumica e vendeve e përkrahin planin e Martti Ahtisaari-t për një pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën.
Edhe pse udhëheqësit kosovarë disa herë kanë deklaruar se Kosova nuk ka nevojë për një mision të tillë faktmbledhës, sepse janë të bindur se vendi tashmë i ka treguar gjithë botës se ka bërë përparime të mëdha.
Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se për Kosovën është me rëndësi që kjo vizitë të jetë si çdo vizitë tjetër dhe të marrë imazhin e njohjes së realitetit të ri të vendit.
(Fund)




Konkursi për simbolet e Kosovës pas Rezolutës së Këshillit të Sigurimit

PRISHTINË, 10. prill 2007. (kosovaLive) - Kryesia e Kuvendit të Kosovës, as në mbledhjen e të martës nuk ka debatuar për shpalljen e konkursit për simbolet shtetërore të Kosovës, ndërsa shefat e grupeve parlamentare të pranishëm në mbledhje, deklaruan se konkursi për simbolet është duke e pritur miratimin e Rezolutës së re që pritet të nxirret në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Anëtarët e Kryesisë thanë se kjo e fundit nuk mban përgjegjësi për mos-shpalljen e konkursit. Procedura, sipas tyre, është komplikuar pasi që nuk është arrit një marrëveshje e kuptueshme, ndërmjet Grupit të Unitetit dhe Kryesisë së Kuvendit.
“Kryesia e Kuvendit ka marrë venim për shpalljen e konkursit dhe nuk është marrë asnjë vendim tjetër për mos-shpalljen e tij. Askush nuk ka pas të drejtë ta frenojë vendimin për të shpallë konkursin. Marrëveshjet tjera joinstitucionale jashtë vendeve ku merren vendimet, unë nuk i di”, u shpreh Xhavit Haliti, anëtar opozitar i Kryesisë së Kuvendit.
Në mbledhjen e fundit që Kryesia ka mbajtur bashkë me Grupin e Unitetit, presidenti Sejdiu, sipas Halitit, ka thënë se së shpejti do të bëhen simbolet shtetërore, ndërsa Kryesia është autorizuar që të shpallë konkursin.
(Fund)




Gjysma e ministrave s’kanë deklaruar pasurinë në afatin e përcaktuar

PRISHTINË, 10. prill 2007. (KosovaLive) - Gjysma e ministrave të qeverisë së Kosovës nuk e kanë respektuar afatin ligjor për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë të institucioneve të Kosovës, ndërsa kanë afat deri më 15 prill që të mos humbasin 1/5 e pagës dhe të shmangin publikimin e emrave të tyre.

“Afati për deklarimin e obliguar të pasurisë, konform ligjit për persona zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, ka përfunduar më 31.03.2007, ndërsa nëse edhe në afatin shtesë prej 15 ditësh, zyrtarët nuk e përmbushin obligimin, do të kenë zbritje të pagës prej 1/5 të saj për një periudhë tremujore, për të vazhduar me masa tjera më të rrepta, po qe se vazhdojnë të mos e deklarojnë pasurinë e tyre”, tha për KosovaLive Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit (AKK).
Sipas Pretenit, nga numri i përgjithshëm prej 732 sa është dashur ta deklarojnë pasurinë, 491 ose 67% prej tyre kanë përmbushur obligimin.
Deklarimin e pasurisë së tyre nga instancat më të larta të vendit e kanë bërë kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Rexhep Haxhimusa dhe Prokurori Publik i Kosovës, Hilmi Zhitia. Ndërsa nga Qeveria e Kosovës, gjithsej 7 ministra iu kanë përgjigjur ftesës për deklarimin e pasurisë.
(Fund)





SBASHK-u kërcënon me greva nëse nuk përmirësohet gjendja në arsim

PRISHTINË, 10. prill 2007. (KosovaLive) - Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), të shqetësuar për gjendjen aktuale në arsimin kosovar, të martën u kanë dërguar një letër të hapur krerëve më të lartë politik dhe institucional të vendit, nga të cilët kanë kërkuar ndërhyrje urgjente në përmirësimin e gjendjes materale në arsim, në të kundërtën ata kërcënuan edhe me greva të përgjithshme nga 30 prilli.

SBASHK-u, me anë të kësaj letre kërkoi që të përcaktohen shpenzimet mujore për një familje mesatare gjashtëanëtarëshe dhe mbi këtë bazë të përcaktohet lartësia e të ardhurave personale e mësimdhënësve, të fillojë aplikimi i Kontratës Kolektive në mënyrë retroaktive nga 1 janari 2007 me anekset e përjashtuara, të rregullohet sigurimi shëndetësorë për të punësuarit në arsim dhe të sanksionohet me Kushtetutë të re të vendit prioriteti i zhvillimit permanent të sistemit të arsimit si parakusht për zhvillim të gjithëmbarshëm.
“Nëse kjo nuk ndodh deri më 30 prill 2007, SBASHK-u do të veprojë konform kërkesave të mësimdhënësve, Statutit dhe vendimeve të organeve të tij në bashkëpunim me sindikatat vendore dhe ndërkombëtare”, tha për KosovaLive kreu i SBASHK-ut, Ali Shabanaj.
(Fund)




<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 >>
SEARCH
Key words

From date

Till date


FORUMI

Fjalimi i përgaditur nga Don Shan Zefi, Kancelar ipeshkvinor, Kisha Katolike

Konferenca Ndërfetare mbi Koegzistencën Paqësore dhe Dialog
Patriarkana e Pejës
Pejë 2 -3 Maj 2006


© 1998-2005 CDRSEE, KosovaLive, Medijski Centar Beta
Përmbajtja e faqes së internetit www.kosovakosovo.com është përgjegjësi e Qendrës për Demokraci dhe Pajtim, Agjencisë së Lajmeve KosovaLive dhe Qendrës Mediale Beta, dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e donatorëve për Forumin Informativ Shqiptaro-Serb.