[ English ] [ Shqip ] [ Srpski ]
 
 






LAJMET
Kuvendi zotohet të zbatojë marrëveshjen e propozuar nga Martti Ahtisaari

PRISHTINË, 6. prill 2007. (KosovaLive) - Kuvendi i Kosovës, miratoi të enjten me vetëm një votë kundër, një deklaratë, përmes së cilës mirëpriti dhe mbështeti propozimin e Martti Ahtisaari-t për zgjidhjen e statusit të Kosovës, duke besuar se ai paraqet zgjidhje të drejtë dhe të balancuar, në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës.

Përmes kësaj deklarate, Kuvendi pranon dhe zotohet të zbatojë plotësisht propozimin gjithëpërfshirës të marrëveshjes për statusin e Kosovës, nën supozimin që marrëveshja është e pranueshme për Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Deklarata që u lexua nga kryetari i Kuvendit, Kolë Berisha, thotë se legjislativi, si organi më i lartë vendimmarrës në Kosovë, “...mirëpret propozimin e Martti Ahtisaari-t, duke besuar se rekomandimet e tij paraqesin një zgjidhje të drejtë dhe të balancuar që është në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës”.
“Kuvendi mirëpret pa rezervë praninë ndërkombëtare, që do të krijohet në Kosovë, sipas marrëveshjes. Kuvendi zotohet për bashkëpunim me këtë prani, përderisa ajo do t’i kryejë obligimet sipas marrëveshjes.
(Fund)




Ruecker e quan të paarsyeshëm misionin faktmbledhës të OKB-së në Kosovë

PRISHTINË, 6. prill 2007. (KosovaLive) - Iniciativën e Federatës Ruse që të dërgohet në Kosovë një mision i OKB-së lidhur me verifikimin e përmbushjes së Rezolutës 1244, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, e ka quajtur të paarsyeshëm me arsyetimin se administrata ndërkombëtare në Prishtinë vazhdimisht dërgon raporte në Nju Jork për gjendjen në Kosovë, megjithatë, ai tha se secili anëtarë i Këshillit të Sigurimit ka të drejtë të vijë për vizitë.

Gjatë një debati me studentët e Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT) Ruecker, i pyetur nëse kjo iniciativë ka të bëjë me mosbesimin ndaj UNMIK-ut, ai tha se “keni të drejtë”, por shtoi se Këshilli i Sigurimit vazhdimisht është informuar për të gjitha zhvillimet në Kosovë në tetë vitet e fundit.
Në fillim të kësaj jave, ambasadori i Rusisë në OKB, i mbështetur edhe nga Beogradi zyrtar, ka kërkuar në Nju Jork që të dërgohet një mision i OKB-së në Kosovë për të mbledhur fakte nëse është përmbushur Rezoluta 1244 e OKB-së.
Rusia në Këshillin e Sigurimit është pozicionuar në anën e Serbisë, duke kundërshtuar planin e Ahtisaarit që parashikon një pavarësi të mbikëqyrur nga ndërkombëtarët për Kosovën.
(Fund)




Konkursi për simbolet shtetërore të Kosovës shpallet javën e ardhshme, thotë Berisha

PRISHTINË, 6. prill 2007. (KosovaLive) - Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në një mbledhje që ka mbajtur jashtë prezencës së mediave, ka caktuar kriteret për simbolet shtetërore të Kosovës, ndërsa javën e ardhshme pritet që zyrtarisht të shpallet konkursi gjithëkombëtar për flamurin dhe emblemën e shtetit të Kosovës, deklaroi të enjten, kryeparlamentari Kolë Berisha.

Numri një i Kuvendit të Kosovës, i bëri këto komente në një konferencë për media, mbajtur në godinën e Ligjvënësit kosovar.
“Është e vërtetë që është mbajtur një mbledhje e Kryesisë, ku janë caktuar kriteret, por ka edhe shumëçka tjetër që duhet t’i paraprijnë asaj procedure”, tha kryeparlamentari Berisha, duke shtuar se procedura për shpalljen e konkursit është në përfundim.
“Jemi në përfundim të procedurës të shpalljes së konkursit dhe jam i bindur se javën e ardhshme do të jetë publik konkursi për simbolet”, tha Berisha.
(Fund)




Paralajmërohet format i ri i Grupeve Punuese për të pagjeturit

PRISHTINË, 6. prill 2007. (KosovaLive) - Pavarësisht rezultateve të arritura, ende mbetet i panjohur fati i 2.087 kosovarëve, 367 prej të cilëve janë raportuar si të vdekur, edhe pse ende nuk janë gjetur trupat e tyre, tha Fransua Shtam, drejtues i operacioneve të Kryqit Kuq Ndërkombëtar për Evropën Juglindore.

Këto komente, ai i bëri një ditë pas takimit në mes grupeve punuese të Beogradit dhe Prishtinës rreth çështjes së personave të pagjetur, ndërkaq pohoi se ndonëse nuk ka rezultate spektakulare, ka rezultate të vogla të arritura në vazhdimësi.
“Pavarësisht rezultateve të arritura, mbetet ende i panjohur fati i 2.087 personave, 367 prej të cilëve janë raportuar si të vdekur, por ende nuk janë gjetur trupat e tyre”, tha Shtam.
Ndërsa, sa i përket dyshimit se a mund të ketë të pagjetur në burgjet sekrete në Serbi, ai deklaroi se qëndrimi i Beogradit zyrtar ka qenë se në Serbi nuk ka të arrestuar, emrat e të cilëve figurojnë në listën e personave të zhdukur.
Ai gjithashtu pohoi se shumica e personave që kanë statusin e personit të zhdukur, mund të kenë vdekur, por ende nuk janë gjetur kufomat e tyre.
(Fund)




Kuçi ofron 10 mijë € për informata rreth shpërthimit në Deçan

PRISHTINË, 6. prill 2007. (KosovaLive) - Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur të enjten se ka ofruar një shpërblim në vlerë prej 10 mijë eurosh për personat që japin informata kredibile, që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit të eksplodimit në Manastirin e Deçanit, që ka ndodhur më 30 mars të këtij viti.

Sipas njoftimit të lëshuar për media nga MPB, thuhet se informatat që mund të vijnë nga qytetarët e Kosovës, janë të rëndësishme dhe mund të ndihmojnë në zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti.
Ministri i MPB-së, Blerim Kuçi tha se për ata qytetarë që mund të japin informata kredibile dhe të ndihmojnë në kapjen e autorit të veprës së kryer, ka ofruar shpërblim prej 10 mijë euro.
“Rasti i eksplodimit në Manastirin e Deçanit është akt i shëmtuar që ka për qëllim të dobësojë stabilitetin e brendshëm në Kosovë, duke i dëmtuar objektet me rëndësi të veçantë në Kosovë”, theksoi ministri.
(Fund)




Sejdiu: Pavarësia po përkrahet gjithnjë e më shumë

PRISHTINË, 4. prill 2007. (KosovaLive) - Kryetari Fatmir Sejdiu deklaroi se kryenegociatori Martti Ahtisaari ka bërë një paraqitje jashtëzakonisht korrekte dhe se pavarësinë e Kosovës e sheh të vetmin opsion pa asnjë alternativë dhe se kjo zgjidhje po përkrahet gjithnjë e më shumë.

Sejdiu deklaroi se në Këshillin e Sigurimit po forcohet bindja se statusi i Kosovës nuk do të shërbejë për zgjidhjen e rasteve të tjera në rajonet ku ka kriza. Ai tha se argumentet e dhëna dhe rruga që ka ndjekur Ahtisaari përcakton karakterin “sui generis” të Kosovës.
Sejdiu deklaroi kështu të mërkurën në Aeroportin e Prishtinës, bashkë me shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker, me t’u thyer nga Nju Jorku, ku kishin marrë pjesë në takimin që është mbajtur për Kosovën në Këshillin e Sigurimit.
“E di që do të ketë edhe një angazhim shumë më të fuqishëm për ta shpejtuar procesin dhe mbesim me bindjen e plotë se do ta realizohet synimi ynë”, tha Sejdiu.
Ai potencoi se procesi nuk do të jetë i vonuar në bazë të kësaj dinamike që ka marrë tani.
(Fund)




Çeku: Këshilli i Sigurimit ka vetëm një propozim për Kosovën - pavarësinë

PRISHTINË, 4. prill 2007. (KosovaLive) - Kryeministri Agim Çeku tha të mërkurën, se pas seancës së djeshme të Këshillit të Sigurimit, dihet qartë se ekziston vetëm një propozim për statusin e Kosovës dhe ai është pavarësia.

Çeku tha se në javët në vijim do të haset në përpjekjet për ngadalësimin dhe zvarritjen e procesit, por padyshim se procesi është duke shkuar drejt pavarësisë.
“Ne do të jemi shumë shpejt dëshmitarë të pavarësisë...Kjo ka qenë një përpjekje për ta komplikuar procesin, por presidenti Sejdiu ka pasur prapë rastin të flas në Këshillin e Sigurimit me anë të takimeve”, tha Çeku.
Sipas kryeministrit, shumica e vendeve anëtare të KS e mbështesin propozimin e Ahtisaari-t.
“Përfaqësuesi i Serbisë, kryeministri i tyre, i ka shprehur disa qëndrime tanimë të njohura. Ka shprehur dëshminë e tij për këtë proces, ka kërkuar që procesi të rifillojë që të zgjidhet me emisar të ri”, tha Çeku.
Sipas tij, Rusia i ka pasur disa rezerva, por ato më shumë kishin të bënin me kohën sesa me çështjen e substancës të propozimit të Ahtisaari-t.
(Fund)




Lagendijk: Rusët po bëjnë lojën e mbështetjes së serbëve, por nuk do përdorin veto

PRISHTINË, 4. prill 2007. (KosovaLive) - Raportuesi për Kosovën i Parlamentit Evropian (PE), deputeti Joost Lagendijk, tha të mërkurën se kosovarët duhet të jenë të qetë, pavarësisht qëndrimit të Rusisë, duke u shprehur i bindur se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme

Lagendijk, këto komente u bëri pas një takimi që zhvilloi me anëtarët e Komisionit parlamentar për bashkëpunim ndërkombëtar dhe integrim euroatlantik të Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua për situatën aktuale në Kosovë, me theks të veçantë për nevojat konkrete që ka Kosova në ekonomi, drejtësi dhe në fusha tjera, pas definimit të statusit.
Parlamenti Evropian, sipas tij, shumë shpejt do të miratojë draftin e ligjit të shpenzimeve të misionit të Bashkimit Evropian, pas pavarësisë.
“Është e qartë se Bashkimi Evropian (BE), ka një rol kyç për të luajtur pas pavarësisë dhe se do t’i takojë Parlamentit që të miratojë draftin”, tha ai, duke shtuar se PE ka miratuar rezolutën, e cila mbështet sovranitetin e mbikëqyrur.
Lagendijk konsideron se ekziston një vullnet i madh brenda PE-së, që jo vetëm të përkrahet statusi i Kosovës, por edhe të ndihmohet financiarisht.
(Fund)




Qeveria thotë se s’ka nevojë as arsye për mision faktmbledhës

PRISHTINË, 4. prill 2007. (KosovaLive) - Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e rregullt javore, mbajtur të mërkurën, e konsideroi të paarsyeshme, kërkesën e përfaqësuesit të Rusisë në Këshillin e Sigurimit, për formimin e një komisioni ndërkombëtar për mbledhjen e “fakteve” në Kosovë, duke e quajtur si të panevojshme.

Zëdhënësja e Kryeministrisë, Ulpiana Lama, tha në konferencën e rregullt për media, se Kosova gjatë gjithë periudhës së kaluar është monitoruar nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa ardhja e një komisioni tjetër për të vlerësuar realitetin këtu, sipas saj, konsiderohet e panevojshme.
“Ne kemi bërë një vlerësim për standardet. Nuk e kemi bërë ne, por e kanë bërë Kombet e Bashkuara dhe ka qenë një raport progresiv i bërë në çdo tre muaj, prandaj ne besojmë se ky mekanizëm i monitorimit të realizimit të standardeve edhe të realizimit të Rezolutës 1244, është zbatuar gjatë gjithë këtyre viteve”, tha Lama.
Kombet e Bashkuara, sipas saj, kanë pasur një raport real për standardet dhe ne besojmë se nuk ka ndonjë arsye që do ta justifikonte një kërkesë për një komision tjetër, siç është quajtur “faktmbledhës”.
(Fund)





“Kasabank” kalon në pronësi të sllovenëve

PRISHTINË, 4. prill 2007. (KosovaLive) - Pronarët e bankës afariste kosovare “Kasabank” i shitën të mërkurën 50,14 për qind të aksioneve “Nova Ljubljanska Banka-s”, ndërkohë që muaj më parë, 26 për qind të kësaj banke e ka blerë një bankë tjetër sllovene.

“Nova Ljubljanska Banka” është aksionari i dytë slloven në këtë bankë, pasi që me herët aksione në “Kasabank” ka blerë edhe “Factor bank” nga Lubjana.
“Factor Bank” ka blerë 26 për qind të aksioneve, duke bërë kështu që përqindja në përgjithësi e aksionarëve sllovenë në “Kasabank” të jetë rreth 76 për qind.
Pas shitjes së fundit, aksionarët vendorë posedojnë vetëm 24 për qind të aksioneve në këtë bankë.
(Fund)




<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 >>
SEARCH
Key words

From date

Till date


FORUMI

Fjalimi i përgaditur nga Don Shan Zefi, Kancelar ipeshkvinor, Kisha Katolike

Konferenca Ndërfetare mbi Koegzistencën Paqësore dhe Dialog
Patriarkana e Pejës
Pejë 2 -3 Maj 2006


© 1998-2005 CDRSEE, KosovaLive, Medijski Centar Beta
Përmbajtja e faqes së internetit www.kosovakosovo.com është përgjegjësi e Qendrës për Demokraci dhe Pajtim, Agjencisë së Lajmeve KosovaLive dhe Qendrës Mediale Beta, dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e donatorëve për Forumin Informativ Shqiptaro-Serb.