[ English ] [ Shqip ] [ Srpski ]
 
 






LAJMET
Prishtina, mes “frikës” nga vetoja dhe optimizmit për konstruktivitetin rus

PRISHTINË, 29. mars 2007. (Beta) - Udhëheqësit kosovarë, pavarësisht “frikës”, shprehen optimistë se Federata ruse nuk do ta përdorë të drejtën e vetos kur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të hidhet në votim rezoluta e re, e mbështetur në propozimin e Martti Ahtisaari-t për shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe njohjen e pavarësisë së mbikëqyrur.

Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, shprehu të mërkurën optimizmin kosovar se pavarësisht hezitimeve, Federata e Rusisë nuk do të mbajë qëndrim kundër pavarësisë së Kosovë në Këshill të Sigurimit, por se do ta ruaj konstruktivitetin që e ka pasur brenda Grupit të Kontaktit.
Presidenti Sejdiu i bëri këto komente në një konferencë për media që u mbajt në godinën e Qeverisë së Kosovës. Ai tha se ka ftuar të gjitha vendet e Këshillit të Sigurimit që t’i bëjnë një vizitë Kosovës për të parë realitetin ekzistues këtu.
“Ne kemi parasysh hezitimin që të jepet nga ana e Rusisë, por nuk ka një deklarim të Jo-së dhe bllokim të procesit. Prandaj, mendoj se Rusia do të jetë faktor i rëndësishëm në proceset e mëtejme për të nxjerrë vendimin e përbashkët në kuadër të Këshillit të Sigurimit, sikurse ka qenë faktor i rëndësishëm në Grupin e Kontaktit”, u shpreh Sejdiu.
(Fund)




Sejdiu garanton mbështetjen për qeverisjen aktuale

PRISHTINË, 29. mars 2007. (Beta) - Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu i dha të mërkurën mbështetje të fuqishme qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Agim Çeku, për vazhdimin e mëtejshëm të punës së saj dhe njëkohësisht kërkoi angazhim më të madh për të përmbushur standardet integruese dhe për të zbatuar projektin e Ahtisaari-t për status.

Kryetari Sejdiu i bëri këto komente në një konferencë për media, pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës, në të cilën ishte i pranishëm edhe vetë.
Ndërkaq, kryeministri Çeku i premtoi presidentit Sejdiu, se ekzekutivi ka kapacitete të mjaftueshme për t’i përmbushur obligimet që i ka vënë vetës në bazë të agjendës paraprake, si dhe tha se është maksimalisht e përgatitur për të zbatuar pakon e Ahtisaari-t për status.
“Këtë vizitë e bëra për të përkujtuar momentet më të rëndësishme që gjendet Kosova për të ecur vendi drejt formimit të shtetit të pavarur dhe sovran…Qeveria duhet të shtojë angazhimet e saj për të realizuar atë pjesë të standardeve, prandaj mora garanci të fuqishme nga kryeministri dhe anëtarët e kabinetit qeveritar se janë të përqendruar t’i zbatojnë projektet e fuqishme”, u shpreh Sejdiu.
(Fund)




Boshnjakët, turqit dhe romët mbështesin pavarësinë e mbikëqyrur

PRISHTINË, 29. mars 2007. (KosovaLive) - Përfaqësuesit e tri subjekteve më të mëdha politike që përfaqësojnë pakicat boshnjake, turke dhe rome, të mërkurën deklaruan për KosovaLive se jo vetëm që e pranojnë dokumentin e Martti Ahtisaari-t për zgjidhjen e statusit të Kosovës, por kërkojnë sa më parë zbatimin e tij në praktikë.

Qemajl Kurtishi, në emër të koalicionit boshnjak “Vakat” në Prizren, nën emrin e të cilit veprojnë tri subjekte politike, tha për KosovaLive se ky koalicion e ka pritur kësisoj zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe është i mendimit që kjo është e drejtë, duke ditur ngjarjet që janë zhvilluar në shekullin e fundit.
“Kosova duhet ë jetë shtet i pavarur, pasi kjo është edhe dëshira e të gjithë kosovarëve, përfshirë edhe boshnjakët që po ashtu dëshirojnë këtë meqenëse janë kosovarë, por shpresojmë në realizimin e të gjitha të drejtave dhe standardet e shoqërisë, sidomos për komunitetet pakicë”, tha ai.
Ercan Spat, kryetar i degës së Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) në Prizren, ndërkaq tha për KosovaLive se përkrah pakon e Ahtisaari-t dhe kërkesa e udhëheqësisë qendrore të këtij subjekti është aq ai sa më shpejtë të vihet në zbatim.
Edhe kryetari i Partisë Rome të Bashkuar me seli në Prizren, Haxhi Zylfi Merxha, tha se subjekti të cilin e përfaqëson, në tërësi e përkrah fuqishëm planin e Ahtisaari-t për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
(Fund)




Kosovarët kërkojnë që shqiptarët e Luginës...të trajtohen si pakicat e Kosovës

PRISHTINË, 29. mars 2007. (KosovaLive) - Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i siguroi liderët e Luginës së Preshevës se udhëheqësit e Kosovës, vazhdimisht kanë kërkuar dhe do të kërkojnë që shqiptarët e kësaj treve të trajtohen njësoj siç do t’i trajtojë shteti i ardhshëm i Kosovës pakicat e saj kombëtare.

Kryetari Sejdiu, deklaroi kështu të mërkurën gjatë një takimi që pati me një delegacion të institucioneve dhe të subjekteve politike shqiptare të Luginës së Preshevës, i cili përbëhej nga Riza Halimi, kryetar i PVD-së, Skënder Destani, kryetar i BDL-së, Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanocit, dhe Shaip Kamberi, kryetar i PVD-së për Bujanoc.
“I sigurova liderët e Luginës së Preshevës se ne vazhdimisht kemi kërkuar që shqiptarët e kësaj treve të trajtohen njësoj siç do t’i trajtojmë ne pakicat, pra, duke u garantuar atyre të drejta me standardet më të larta ndërkombëtare”, tha Sejdiu.
Gjatë takimit, sipas njoftimit zyrtar, mbizotëroi pajtimi i plotë për të gjitha çështjet që i preokupojnë shqiptarët, si në Kosovë, ashtu edhe në Luginën e Preshevës dhe në viset e tjera.
(Fund)




Ndërtimi i autostradës Merdar-Durrës fillon në korrik të këtij viti

PRISHTINË, 29. mars 2007. (KosovaLive0 - Drejtuesit e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit (MTPT) konfirmuan të mërkurën për KosovaLive se gurthemeli i autostradës Merdar-Durrës, në pjesën kosovare, do të vihet në muajt korrik-gusht të këtij viti.

Zëdhënësi i MTPT-së, Shefki Ukaj tha se projekti është hartuar, identifikimi dhe shpronësimi i pronave është në proces, ndërsa problem kryesor mbeten financat.
“Përveç që është kryer studimi për arsyeshmërinë ekonomike nga kompania daneze COË, është kryer fizibiliteti i trasesë nga do të kalojë autostrada. Gjithashtu janë kryer edhe punët teknike në shqyrtimet gjeometrike të pronave të trasesë, siç janë: projektimi i urave, mureve mbrojtëse, tombinave, analizave simetrike, etj”, tha ai.
Sipas tij, meqë buxheti i Kosovës është shumë i limituar, sipas të gjitha gjasave, ndërtimi i kësaj autostrade do t’iu jepet me koncesion atyre investitorëve që ofrojnë kushte më të mira.
Ai tha se janë duke lobuar që ndërtimi i kësaj autostrade të kushtojë më lirë se sa që është planifikuar, 923 milionë euro dhe siç tha ai, në bazë të analizave që kanë kryer, projekti mund të kryhet edhe me vetëm 600 milionë euro.
(Fund)



“Elefantët” të bindur se Ahtisaari në KS do ta rekomandojë pavarësinë

PRISHTINË, 9. MARS 2007. (KosovaLive) - Anëtarët e Ekipit të Unitetit të Kosovës deklaruan se janë të gatshëm të japin të gjitha argumentet në Vjenë për vizionin e tyre politik në mënyrë që Martti Ahtisaari në Këshillin e Sigurimit të rekomandojë pavarësi për Kosovën dhe për t’u lëshuar rrugë shteteve për njohje individuale.

Këto deklarata, anëtarët e Ekipit të Unitetit i dhanë të premten në Aeroportin e Prishtinës me t’u nisur për takimin e fundit me palën serbe në Vjenë të Austrisë që do të mbahet të shtunën, takim i cili përmbyll bisedimet Kosovë-Serbi për çështjen e statusit.
Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, deklaroi para gazetarëve se pala kosovare është e gatshme t’i japë të gjitha argumentet për pavarësinë e Kosovës.
“Mendoj se është një moment i rëndësishëm që para bashkësisë ndërkombëtare të japim të gjitha argumentet tona për të ardhmen e vendit si një shtet i vlerave demokratike dhe për një Kosovë të pavarur”, tha Sejdiu.
Sejdiu tha se për kosovarët është shumë e rëndësishme të mbahet stabiliteti që ka Kosova dhe natyrisht që kjo të kontribuojë në ecjen e mëtejme të proceseve të reja.
Kryetari Sejdiu pas këtij takimi të fundit shpreson se procesi deri në Këshillin e Sigurimit do të shkojë mjaft shpejtë, por sipas tij, nuk ka një datë të saktë, por shtoi se Ahtisaari në fundin e marsit dokumentin dhe rekomandimin e tij do ta procedojë në KS.
(Fund)




Serbët e Shtërpcës nuk i besojnë bashkësisë ndërkombëtare

PRISHTINË, 9. MARS 2007. (KosovaLive) - Komuniteti serb i Shtërpcës, i tha të premten kreut të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, komandantit të KFOR-it, Roland Kather dhe shefit të Zyrës Gjermane në Prishtinë, Eugen Wolfarth, se e mbështesin vetëm qëndrimin e ekipit negociator të Beogradit për statusin e Kosovës.

Këshilltari i Kuvendit Komunal të Shtërpcës, Bogoljub Vucic, u paraqiti udhëheqësve të lartë ndërkombëtarë një deklaratë në emër të këshilltarëve dhe të bashkësisë serbe të Shtërpcës, përmes së cilës bëhej i ditur vullneti i tyre politik kundër planit të Martti Ahtisaari-t për statusin e Kosovës. Ai tha se shpreson që Këshilli i Sigurimit do të ofrojë një zgjidhje të drejtë për ta.
“Komuniteti serb i Shtërpcës, por edhe i tërë Kosovës, pret që Kosova ta fitojë autonominë thelbësore në kuadër të Serbisë. Në të kundërtën, nëse Kosova bëhet e pavarur, kjo do të jetë goditje e rëndë për serbët dhe do të nxisë largimin e tyre. Shumetniteti i Kosovës do të vihej në pikëpyetje”, tha Vucic.
Kryeadministratori Ruecker, është përpjekur të premten që mbi 100 serbëve të tubuar në sallën e Kuvendit Komunal të Shtërpcës, t’ua shpjegojë pakon e të dërguarit të OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, sidomos pjesët që flasin për decentralizimin, për vetëqeverisjen e komunave me shumicë serbe dhe për zonat e mbrojtura.
(Fund)




Qeveria i quan spekulime akuzat për shkelje gjatë përzgjedhjes së operatorit të telefonisë

PRISHTINË, 9. MARS 2007. (KosovaLive) - Qeveria e Kosovës vlerëson se zërat që po dëgjohen këto ditë nga një organizatë joqeveritare për kinse përfshirjen e Qeverisë dhe kryeministrit Çeku në përzgjedhjen e fituesit të telefonisë së dytë, janë të pavërteta, të paargumentuara dhe tendencioze.

Zyra për Informim e Qeverisë njoftoi se ekzekutivi kosovar është angazhuar që ky proces të jetë transparent, fer dhe në përputhje të plotë me procedurat ligjore.
Këto komente Qeveria i bëri vetëm një ditë pasi që organizata “Çohu” akuzoi tërë nomenklaturën kosovare, duke filluar prej kryeministrit Agim Çeku, drejtuesve të UNMIK-ut, kreut të opozitës, Hashim Thaçi dhe shefit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit (ART), Anton Berisha, se “janë korruptuar nga pronari i kompanisë ‘Dukagjini’, në mënyrë që konsorciumi i tij të shpallet fitues i tenderit për operator të dytë të telefonisë mobile në vend”.
(Fund)




Kryesia e LDK-së mbështet koalicionin qeverisës

PRISHTINË, 9. MARS 2007. (KosovaLive) - Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) konfirmoi mbështetjen e saj për koalicionin ekzistues qeveritar, duke e inkurajuar atë që të angazhohet në jetësimin e detyrimeve që dalin nga pakoja e Ahtisaari-t.

Këto komente Kryesia e LDK-së i bëri të premten me qëllim të demantimit të komenteve të ndryshme që qarkullonin rreth mundësisë së shpërbërjes së koalicionit aktual qeverisës LDK-AAK.
“Kryesia e LDK-së rikonfirmon mbështetjen e saj dhe të strukturave udhëheqëse të LDK-së për koalicionin ekzistues qeveritar, duke e inkurajuar atë që të angazhohet në jetësimin e detyrimeve që dalin nga pakoja e Ahtisaari-t”, thuhet në komunikatë.
Sipas Kryesisë së LDK-së, debatet me partitë politike, janë të nevojshme dhe se kjo parti do të vazhdojë ta çmojë këtë formë të komunikimit, duke respektuar rrugët institucionale për ta realizuar atë, dhe vlerëson se debati nuk e kufizon të drejtën e përfaqësimit institucional.
(Fund)





Serbia kushtëzon Kosovën për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian të Pingpongut

PRISHTINË, 9. MARS 2007. (KosovaLive) - Zyrtarë të Federatës së Pingpongut të Kosovës, kërkuan të premten nga Federatat Evropiane dhe ajo Botërore e Pingpongut, që të ndikojnë te Beogradi, që Kosova të marrë pjesë pa asnjë kusht në Kampionatin Evropian të pingpongut që mbahet nga 25 marsi deri me 1 prill të këtij viti në Serbi.

Kosova, sipas tyre, ka marrë pjesë në shumë gara të pingpongut, ndërsa është selektuar që të marrë pjesë edhe në Kampionatin Evropian.
“Në të gjitha garat jemi prezantuar si Kosovë dhe tani Beogradi disa javë para mbajtjes së këtij kampionati, kërkon që ne të prezantohemi si ‘Kosovo-Republika e Serbisë’, gjë që është e papranueshme për ne”, tha në një konferencë për gazetarë, Nehat Çitaku, përzgjedhës i përfaqësueses së Kosovës.
Sipas tij, këtë çështje i kanë politizuar serbët e Beogradit, andaj nëse Serbia edhe më tej mban një qëndrim të tillë, e që është i papranueshëm për kosovarët, atëherë vendi ynë nuk do të marrë pjesë në këtë kampionat.
Çitaku tha se të hënën presin edhe një përgjigje nga Federata Botërore e Pingpongut, se si do të prezantohet Kosova në këtë kampionat.
(Fund)




<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 >>
SEARCH
Key words

From date

Till date


FORUMI

Fjalimi i përgaditur nga Don Shan Zefi, Kancelar ipeshkvinor, Kisha Katolike

Konferenca Ndërfetare mbi Koegzistencën Paqësore dhe Dialog
Patriarkana e Pejës
Pejë 2 -3 Maj 2006


© 1998-2005 CDRSEE, KosovaLive, Medijski Centar Beta
Përmbajtja e faqes së internetit www.kosovakosovo.com është përgjegjësi e Qendrës për Demokraci dhe Pajtim, Agjencisë së Lajmeve KosovaLive dhe Qendrës Mediale Beta, dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e donatorëve për Forumin Informativ Shqiptaro-Serb.