[ English ] [ Shqip ] [ Srpski ]
 
 






LAJMET
Plani i Ahtisaari-t ka pësuar disa ndryshime “konceptuale”

Prishtinë, 7. mars 2007. (KosovaLive) - Propozimi përfundimtar i ndërmjetësit ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, ka pësuar vetëm disa ndryshime të vogla, të cilat, kryesisht kanë të bëjnë me nocione, por është ruajtur substanca e propozimit të parë, e cila në Prishtinë lexohet si heqje e sovranitetit serb mbi Kosovën dhe rrugë drejt shtetit të pavarur.

Kështu, nga “shpërbërja e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK) brenda një viti nga hyrja në fuqi e zgjidhjes”, propozimi i ri parasheh “shuarje të TMK-së brenda periudhës së tranzicionit”.
Pjesa që ka të bëjë me decentralizimin dhe krijimin e komunave të reja, ndërkaq ka mbetur pothuajse e paprekur, përveç faktit se komunës së re të Kllokot/Vërbocit i janë hequr katër zona kadastrale: Zona kadastrale e Letnicës, Shasharit, Vërnakollit dhe Vërnezit.
Sipas propozimit të ri, “Komunat e reja do të kenë të drejtën të përcaktojnë strukturën dhe madhësinë e buxheteve të tyre”, që nuk do të thotë se do ta caktojnë buxhetin. Ndërkaq, nga Serbia, nuk do të marrin “donacione”, por “asistencë ekonomike”.
“Borxhi ndërkombëtar”, ndërkaq është zëvendësuar me “borxh të jashtëm”. “Kosova merr përsipër shlyerjen e borxheve të ish-RSFJ-së, në rastin kur përfituesi përfundimtar është i vendosur në Kosovë”, thuhet në propozimin e ri.
Në planin e ri, është propozuar që ndryshimet e kushtetutës të bëhen me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit.
Ndërkaq, parimi i votimit të dy të tretave të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet pakicë, ka ndryshuar me “Dy të tretat e deputetëve, që janë deklaruar se përfaqësojnë interesat e komuniteteve pakicë dhe që janë të pranishëm në momentin e votimit”.
(Fund)




Sejdiu e quan korrekt propozimin e ri të Ahtisaari-t

Prishtinë, 7. mars 2007. (KosovaLive) - Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, deklaroi të mërkurën në mbrëmje, se Ekipi kosovar i Unitetit, e ka marrë propozimin e ri të presidentit Ahtisaari dhe ka konstatuar se ndryshimet janë bërë në mënyrë korrekte dhe si të tilla nuk e ndryshojnë esencën e propozimit të parë.

Presidenti Sejdiu i bëri këto komente pas një takimi që zhvilloi me shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker. Dy bashkëbiseduesit, vlerësuan se propozimi i presidentit Ahtisaari, është rrugë e trasuar mirë, që hap perspektivë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Sot ndërkohë është marrë edhe propozimi i ri nga UNOSEK-u, me ndryshimet eventuale që ata parashohin, por nuk janë ende të analizuara sa duhet. Mendoj se është një përshtypje e mirë se përmbledhë në mënyrë korrekte vërejtjet. E rëndësishme është se nuk ka ndryshim të substancës me qëndrimet tona”, tha pas takimit presidenti Sejdiu.
Ndërkaq, një përgjigje më e detajizuar rreth këtij propozimi, siç tha Sejdiu, do të jepet të enjten, pas një takimi tjetër që do ta mbajnë anëtarët e Grupit të Unitetit.
“Në propozimin e ri ka madje disa nga formulat që janë shumë mirë të saktësuara. Nuk po jap detaje sepse këtë do t'i debatojmë edhe me Grupin e Unitetit, por ajo që është me rëndësi, është se nuk ka propozime të veçanta që mund ta prishin esencën e dokumentit”, u shpreh kryetari i Kosovës.
(Fund)




Fried: Pakoja është e balancuar, kurse kundërshtarët e saj dëmtojnë Kosovën

Prishtinë, 7. mars 2007. (KosovaLive) - Dokumenti i Martti Ahtisaarit nuk është finalizuar, por tashmë është e qartë se është i balancuar dhe nuk i jap gjithçka njërës palë, por diçka të dyja palëve, tha në Prishtinë ndihmës sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Daniel Fried.

Ai deklaroi kështu të mërkurën, pas një takimi që pati me Ekipin e Unitetit të Kosovës, ku ka shprehur përkrahjen e qeverisë amerikane për procesin, siç e quajti ai, të Ahtisaari-t, i cili çon tek zgjidhja e statusit final të Kosovës.
“Pakoja e Ahtisaari-t nuk është finalizuar, por ajo tashmë është e qartë se është e balancuar që nuk i jep gjithçka njërës palë, por diçka të dy palëve”, tha Fried.
Diplomati amerikan, shpreson se raundi i bisedimeve që mbahet më 10 mars në Vjenë do të jetë produktiv dhe se lidershipi kosovar dhe ai serb do të shkojnë me sugjerime finale, praktike dhe konkrete, “pra pa slogane dhe fjalë të ashpra”.
Ndërsa, nga ana tjetër, në momentin vendimtar për të ardhmen e Kosovës, Fried deklaroi se ekstremistët dhe kundërshtarët në të dy anët, si shqiptarë dhe serbë, mund të dëmtojnë shumë të gjithë njerëzit në Kosovë.
(Fund)




Qeveria kërkon ruajtjen e qetësisë dhe stabilitetit në këtë fazë të rëndësishme

Prishtinë, 7. mars 2007. (KosovaLive) - Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e rregullt mbajtur të mërkurën, e vlerësoi më se të domosdoshme, ruajtjen e qetësisë dhe stabilitetit në këtë periudhë, në mënyrë që qytetarët dhe institucionet e Kosovës të angazhohen me përkushtim maksimal për ta ndihmuar përmbylljen e suksesshme të statusit.

Këtë vlerësim të ekzekutivit të vendit, e konfirmoi para mediave, shefi i Zyrës për informim të Kryeministrisë, Bedri Gashi. Kabineti qeveritar, sipas tij, ka shqyrtuar sot situatën e sigurisë dhe atë politike, pas protestave të fundit të Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe pas përfundimit të konsultimeve në Vjenë.
“Kryeministri ka thënë sot para anëtarëve të kabinetit qeveritar se më shumë se kurrë, Kosovës tash i duhet qetësia dhe stabiliteti, në mënyrë që qytetarët dhe institucionet e Kosovës të angazhohen me përkushtim maksimal për ta ndihmuar përmbylljen e suksesshme të statusit të vendit, bashkërisht me miqtë ndërkombëtar”, tha Gashi.
Agim Çeku, sot po ashtu, ka njoftuar Qeverinë se më 10 mars do të udhëtojë në Vjenë, së bashku me anëtarët e Ekipit të Unitetit, përfshirë edhe zv/kryeministrin, Lutfi Haziri, ministrin e Shëndetësisë, Sadik Idrizi dhe ministrin e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ardian Gjini.
(Fund)




Kryeministri Çeku shkon në Ankara me ftesë të homologut turk Erdogan

Prishtinë, 7. mars 2007. (KosovaLive) - Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, i shoqëruar edhe nga tre deputetë të Kuvendit të Kosovës që përfaqësojnë Komisionin parlamentar për marrëdhënie ndërkombëtare, do të udhëtojnë të mërkurën pasdite për një vizitë treditëshe në Ankara, të ftuar nga kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Këtë udhëtim të kryeministrit Çeku e konfirmoi të mërkurën në një konferencë për media, shefi i Zyrës Për Informim Publik të Kryeministrisë, Bedri Gashi.
Kryeministri kosovar, sipas tij, pritet që sonte në mbrëmje të takohet me homologun e tij turk, Erdogan, ndërkaq gjatë ditës së nesërme do të ketë takime të ndara me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, atë të Ekonomisë dhe Tregtisë, deputetet të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit Nacional të Turqisë dhe zyrtarë të Federatës së Odave Ekonomike të Turqisë.
Vizita e kryeministri të Kosovës, është cilësuar shumë e rëndësishme në njërën anë për të ripërtërirë marrëdhëniet e mira ndërmjet Prishtinës dhe Ankarasë, e veçanërisht për të marrë mbështetjen turke për statusin e Kosovës.
(Fund)





Me kërkesën për ta bërë TMK-në ushtri, nisi manifestimi “Epopeja e UÇK-së”

Prishtinë, 5. mars 2007. (KosovaLive) - Mijëra qytetarë, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, nderuan të hënën në Prishtinë, Epopenë e lavdishme të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke përkujtuar komandantin legjendar Adem Jasharin dhe të gjithë dëshmorët e kombit, që ranë për liri dhe pavarësi të Kosovës.


Manifestimi tradicional “Epopeja e UÇK-së” nisi në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë, me parakalimin e kuadrateve të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK), ndërkaq, sipas planit, përfundon të mërkurën më 7 mars, në Natën e Zjarreve në Prekaz të Drenicës.


Me fjalimet e tyre, Epopenë e UÇK-së e nderoi kryeministri Agim Çeku nën patronatin e të cilit edhe organizohet ky manifestim, Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së dhe ish-drejtor i Drejtorisë politike të UÇK-së, gjeneral Sylejman Selimi, komandant i TMK-së dhe përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari.


Të përfaqësuesit në këtë manifestim, bënë thirrje për unitet gjatë periudhës, siç thanë ata, vendimtare për Kosovën, si dhe premtuan se TMK-ja, si trashëgimtare të UÇK-së, do të jetë baza e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

(Fund)



Prokuroria thotë se ka fakte për përgjegjësinë e Haradinajt, Balajt dhe Brahimajt

Prishtinë, 5. mars 2007. (KosovaLive) - Në Schreveningen të Hagës, të hënën, në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi (ICTY), filloi gjykimi ndaj ish- kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarve tjerë shqiptarë, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj.


Në seancën e parë, Prokuroria ka shpalosur hollësi për akuzat me të cilat ajo i ngarkon Ramush Haradinajn, Idriz Balajn dhe Lah Brahimajn.


Në seancën e sotme, akuzën e paraqiti Kryeprokurorja Carla Del Ponte, e cila e akuzon Haradinajn dhe të tjerët për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të zakoneve të luftës, gjatë viteve 1998-1999.


Del Ponte tha se “...akuzat kundër Haradinajt, Balajt dhe Brahimajt, i ka ngritur në bazë të lëndëve dhe fakteve”. “Këta burra qëndrojnë këtu për krime të shëmtuara mizore dhe të dhunshme, vrasje, përdhunime, rrëmbime dhe sulme brutale që kanë ndodhur larg pamjeve të vëzhguesve ndërkombëtarë”, tha Del Ponte.


“Këta burra, ky zot lufte dhe shokët e tij, i kanë duart e njollosura me gjak të të pafajshmëve dhe viktimave që nuk mbështetën të akuzuarit”, tha Del Ponte.


Sipas saj, “nuk ka asgjë fisnike në krimet e kryera nga tre të akuzuarit”. “Të tre të akuzuarit kane qenë gangsterë dhe të uniformuar”, tha Del Ponte.

(Fund)



Mbrojtja mohon të gjitha akuzat që i mvishen Haradinajt, Balajt dhe Brahimajt

Prishtinë, 5. mars 2007. (KosovaLive) - Mbrojtja e ish- kryeministrit Ramush Haradinaj, Idriz Balajt dhe Lah Brahimaj në ditën e parë i kanë mohuar të gjitha akuzat që i mvishen të akuzuarve për krime lufte, duke konsideruar se krimet që këta bëhen përgjegjës janë bërë nga forcat ushtarake e policore serbe, dhe se UÇK në kohën që pretendohet nuk kishte asnjë organizim.



“Mbrojtja i mohon të gjitha akuzat”, tha përfaqësuesi i mbrojtjes së të akuzuarve Ben Emmerson.


Ai deklaroi se nga 37 pikat e akuzës në asnjërën prej tyre prokuroria nuk ka prova se këta të akuzuar kanë marrë pjesë në ndonjë ndërmarrje penale.


Mbrojtja e të akuzuarve nga Kosova thotë se akuzat që prokuroria ka përgatitur nuk mund të jenë të sakta për shkak se koha e veprimeve të UÇK-së nuk është e njëjtë me atë që paraqitet nga prokuroria.


“Në kohën që prokuroria thotë se janë vrarë 31 njerëz, UÇK nuk ka qenë e organizuar, përveç në disa grupe të disa fshatrave. Këta njerëz që thotë prokuroria e që janë gjetur në liqenin e Radoniqit janë vrarë nga forcat serbe”, tha Emmerson.


Ai tha se forcat serbe kanë qenë ato të cilat kanë vrarë, kanë djegur shtëpitë dhe kanë përzënë njerëzit nga shtëpitë. Sipas tij, në këtë rast edhe shqiptarët edhe serbët por edhe romët kanë ikur nga bombardimet e tyre e serbeve.

(Fund)



Në Kosovë ende është e nevojshme prezenca e ushtrisë amerikane, thotë gjenerali Earhart

Prishtinë, 5. mars 2007. (KosovaLive) - Aktivitetet e dhunshme nuk e përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës e as të udhëheqësve politikë, tha të hënën komandanti i Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes, gjeneral-brigade Dagllas Earhart, pas takimit me komandën rajonale të Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK) në Gjilan.

Gjenerali Earhart tha se dhuna nuk është mënyrë për ta çuar përpara procesin në të cilin po kalon Kosova.


I pyetur për hetimin e shpërthimit të fundit në Gjilan, gjenerali tha se aksionet e këtyre njerëzve nuk e përfaqësojnë vullnetin e shumicës. Ai tha se KFOR-i në bashkëpunim me SHPK-në është duke kryer hetimet rreth shpërthimit të fundit në Gjilan, afër selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që doli se ky ishte incident i izoluar dhe i bërë nga qytetarë, që nuk ia duan të mirën Kosovës.


Gjenerali tha se kjo çështje është ende nën hetime dhe ende nuk dimë ende se kush ishin përgjegjësit për shpërthim.


Ai rikonfirmoi se SHPK-ja po mban në arrest tre persona të dyshuar tek të cilët është gjetur një sasi e eksplozivit dhe në këtë kontest po bëhen hetimet.

(Fund)



Banka Botërore ndan 5.5 mil.€ për largimin e hirit të termocentraleve në Kastriot

Prishtinë, 5, mars 2007. (KosovaLive) - Me qellim të largimit të hirit nga Termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, si dhe deponimit të tij në minierat ekzistuese, Banka Botërore të hënën ia ka ndarë Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) 5.5 milionë euro.

Ndarja e grantit në shumë prej 5.5 milionë euro, u bë e ditur gjatë një ceremonie të organizuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), ku u tha se projekti për largimin e hirit nga termocentralet e KEK-ut në Kastriot përbehet prej tri pjesëve.


Pjesa e parë është rikthimi i shiritave të derdhjes së hirit në minierat ekzistuese, në mënyrë që hiri mos të derdhet më në tokë por të deponohet sikur në vendet tjera të botës në minierat ekzistuese të cilat janë shpenzuar.


Pjesa e dytë është largimi i hirit ekzistues nga pjesët, të cilat i ka mbuluar deri më tani, dhe pjesa e fundit është rikultivimi i tokës, që do të thotë kthimi i tokës në gjendje e cila do të jetë e shfrytëzueshme.


Ministri i MMPH-së, Ardian Gjini tha më këtë rast se projekti për largimin e hirit nga termocentralet është një projekt i cili si pjesë praktike do të udhëhiqet nga KEK-u dhe BB-ja, ndërsa MMPH-ja do të jetë mbikëqyrëse e punëve.

(Fund)



<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 >>
SEARCH
Key words

From date

Till date


FORUMI

Fjalimi i përgaditur nga Don Shan Zefi, Kancelar ipeshkvinor, Kisha Katolike

Konferenca Ndërfetare mbi Koegzistencën Paqësore dhe Dialog
Patriarkana e Pejës
Pejë 2 -3 Maj 2006


© 1998-2005 CDRSEE, KosovaLive, Medijski Centar Beta
Përmbajtja e faqes së internetit www.kosovakosovo.com është përgjegjësi e Qendrës për Demokraci dhe Pajtim, Agjencisë së Lajmeve KosovaLive dhe Qendrës Mediale Beta, dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e donatorëve për Forumin Informativ Shqiptaro-Serb.