[ English ] [ Shqip ] [ Srpski ]
 
 






LAJMET
Të mërkurën mund të publikohen hetimet e protestës së 10 shkurtit

Prishtinë, 27. shkurt 2007. (KosovaLive) - Policia e UNMIK-ut dhe Shërbimi Policor i Kosovës të mërkurën mund të dalin me disa të dhëna rreth hetimeve që po bëhen për ngjarjet që ndodhën në protestën e 10 shkurtit të organizuara nga Lëvizja “Vetëvendosje”, tha për KosovaLive zëdhënësi i policisë, Veton Elshani.



“Gjatë konferencës me gazetarë të mërkurën, UNMIK-u mund të dalë me diçka rreth hetimeve lidhur me këto ngjarje”, tha Elshani, duke premtuar hetime transparente, ashtu edhe siç kanë deklaruar më parë.


Ai tha se të shtunën e kaluar, 24 hetuesit të cilët janë duke u marrë më këtë çështje kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku ka ndodhur protesta dhe kanë bërë rikonstruimin e vendit të ngjarjes.


Ky rikonstruim i vendit të ngjarjes, sipas zëdhënësit Elshani, ka ndihmuar hetuesit ndërkombëtarë dhe vendorë për të ardhur deri te përfundimi se çfarë konkretisht ka ndodhur në ditën e protestës.


Ndërkohë rreth hetimeve të mëtejshme të këtij rasti KosovaLive ka bërë përpjekje të kontaktojë edhe Qeverinë e Kosovës dhe UNMIK-un, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

(Fund)



Serbët kërkojnë t’i caktojnë vendet e ndërtimit të objekteve shëndetësore

Prishtinë, 27. shkurt 2007. (KosovaLive) - Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, deklaruan për KosovaLive se pasi që të kthehen në institucionet e Kosovës, do të vendosin se ku do t’i ndërtojnë objektet shëndetësore, sipas propozimit të të dërguarit të posaçëm të OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari.



Udhëheqësi i “Listës serbe për Kosovë...”, Oliver Ivanovic, i tha KosovaLive se serbët e Kosovës kanë nevojë të madhe për kujdesin shëndetësor, dhe do të ishte mirë që të kishin një Spital në Shtërpce.


“Ne kemi pasur propozimin që vetë të vendosim se ku duhet të jetë ky spital, e jo të tjerët”, tha ai.


Ai tha se çështja e shëndetësisë mund të zgjidhej në Kuvendin e Kosovës, në një seancë të veçantë, pasi serbët të ishin deklaruar se ku dëshirojnë ta kenë spitalin apo objektet tjera shëndetësore.

(Fund)



Sejdiu dënon shpërthimin në Pejë dhe kërkon gjetjen e autorëve

Prishtinë, 27. shkurt 2007. (KosovaLive) - Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka dënuar të hënën shpërthimin në Pejë, si pasojë e të cilit janë dëmtuar shtatë automjete të OSBE-së dhe dy të tjera private.



“Sulmi dhe shkatërrimi i veturave të OSBE-së paraqet një akt të ulët kriminal, të cilin institucionet dhe qytetarët e Kosovës e dënojnë me forcë”, tha kryetari Sejdiu.


Nëpërmjet një komunikate, ai theksoi se aktet e tilla u shkojnë përshtati vetëm atyre që nuk e duan paqen, stabilitetin dhe pavarësinë e Kosovës.


Kryetari Sejdiu u bëri thirrje organeve të rendit që ta hetojnë këtë rast dhe autorët e tij t’i vënë para drejtësisë.


Shpërthimi i një granate dore që është hedhur të hënën herët në mëngjes në auto-parkingun e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), që gjendet në lagjen “Fidanishte” në Pejë, ka dëmtuar nëntë makina, dy prej të cilave private, por fatmirësisht nuk ka pësuar asnjë person.

(Fund)



OSBE: S’ka indikacione që ne kemi qenë cak i sulmit

Prishtinë, 27. shkurt 2007. (KosovaLive) - Disa orë pas shpërthimit të një granate dore në auto-parkingun e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Pejë, zyrtarët e zyrës rajonale të kësaj organizate, deri tash nuk shohin ndonjë indikacion që ata të ketë qenë cak i këtij sulmi.



Zyrtari i OSBE-së, Sven Lindholm ka konfirmuar të hënën pas dite se në parkingun e automjeteve të tyre zyrtare në lagjen “Fidanishte” të Pejës, ka shpërthyer në orët e mëngjesit të ditës së hënë një mjet, i cili ka dëmtuar shtatë makina të OSBE-së dhe një makinë të Ombudspersonit, që gjendeshin brenda rrethojave të parkingut, dhe dy makina private që gjendeshin të parkuara jashtë këtyre rrethojave.


“Megjithëse një granatë dore e eksploduar është identifikuar brenda rrethojës se parkingut të OSBE-së, ndërsa një granat tjetër është gjetur e pashpërthyer në rrugë jashtë rrethojave të auto-parkingut, deri më tash nuk ka indikacione se OSBE-ja ka qenë cak i sulmit”, tha Lindholm, për të shtuar se OSBE-ja dënon çdo akt dhune.


Pavarësisht asaj që një granatë dore ka shpërthyer brenda auto-parkingut të OSBE-së, edhe policia, në kontaktet e mëvonshme gjatë ditës së hënë, nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë cakun e sulmit e as motivet e tij, meqenëse zona përreth vendit të ngjarjes është e banuar.

(Fund)



LDK propozon Blerim Kuçin për ministër të Punëve të Brendshme

Prishtinë, 27. shkurt 2007. (KosovaLive) - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), propozoi të hënën zëvendësministrin aktual, Blerim Kuçi, për Ministër të Punëve të Brendshme të qeverisë së Kosovës, duke zëvendësuar në këtë mënyrë vendin e lënë bosh nga Fatmir Rexhepi, që dha dorëheqje shkaku i protestave të 10 shkurtit.


Nënkryetari i parë i LDK-së, Eqrem Kryeziu, pas mbledhjes së kryesisë, tha se kjo parti ka vendosur që vendin bosh të ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme do ta marrë Blerim Kuçi, zëvendësministër dhe ushtrues detyre i Ministrit që prej dorëheqjes së Fatmir Rexhepit, ditë më parë.


Edhe pse ka pasur edhe disa propozime tjera, Kryeziu tha se LDK ka vendosur për Kuçin për shkak të kohës së shkurtër dhe për shkak të momenteve pak a shumë delikate.


“Kishte propozime, por në fakt duke e ditur që kjo ministri ka shumë pak kompetenca, askush nuk ka dëshiruar t’i bëhet kundërkandidat”, tha Kryeziu.


Ish-ministri i Punëve të Brendshme në qeverinë e Kosovës, Fatmir Rexhepi, pati dhënë dorëheqje nga posti që mbante menjëherë pas protestave të mbajtura nga Lëvizja “Vetëvendosje”, ku për pasojë u vranë dy persona dhe u lënduan shumë të tjerë.

(Fund)



Scheffer: Ndarje të Kosovës nuk do të ketë kurrë

PRISHTINË, 15. shkurt 2007. (KosovaLive) - Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike (NATO), Jaap de Hoop Scheffer deklaroi të enjten në Prishtinë, se ndarje të Kosovës nuk ka dhe nuk do të ketë, ndërsa trupat e KFOR-it më të njëjtin kapacitet, do të garantojnë stabilitet për gjithë qytetarët edhe pas definimit të statusit.

Scheffer i bëri këto komente gjatë një konferencë për media që mbajti në mesditë në komandën e KFOR-it në Prishtinë.
“Porosia e ardhshme është ajo që bazohet edhe në parimet e Grupit të Kontaktit lidhur me integritetin territorial të Kosovës. Se ndarje të Kosovë nuk ka dhe nuk do të ketë, ndërsa njerëzit që mundohet të punojnë në këtë drejtim duhet të kuptojnë se kjo nuk është zgjidhje dhe kurrë nuk do të jetë zgjidhje”, tha Scheffer.
Ai u rekomandoi qytetarëve dhe institucionet të Kosovës, që ta mbështesin propozimin e Ahtisaari-t, derisa bëri thirrje për largim nga elementet e dhunës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se paqeruajtësit e KFOR-it në Kosovë, janë ta gatshme që në bashkëpunim edhe me policinë vendore e ndërkombëtare, t’iu përgjigjen të gjitha atyre që mendojnë se dhuna nuk është element për zgjidhjen e problemeve.
(Fund)




Bot dhe Çeku dakordohen se duhet shpejtuar zgjidhja e statusit

PRISHTINË, 15. shkurt 2007. (KosovaLive) - Ministri i Jashtëm i Holandës, Bernard Bot tha se Bashkimi Evropian qëndron i unifikuar mbrapa planit të Ahtisaarit, ndërsa kryeministri i Kosovës, Agim Çeku ka kërkuar që të përshpejtohet procesi i statusit dhe askush të mos ndikohet nga qëndrimet joproduktive të Beogradit.

Bot dhe Çeku deklaruan kështu të enjten, pas një takimi të përbashkët që patën në Prishtinë, ku biseduan për situatën dhe çështjen e statusit dhe planit e kryenegociatorit Martti Ahtisaari.
“Të gjithë jemi për planin e Ahtisaari-t dhe propozimeve të tij dhe se shpresojmë që Këshilli i Sigurimit do të vijë me një vendim sa më të shpejt, i cili është i rëndësishëm për përkrahjen e mëtejme të BE-së për Kosovën”, tha Bot.
Ndërsa kryeministri Çeku, pas takimit ka shprehur besimin se pas ngjarjeve tragjike të 10 shkurtit, institucionet e Kosovës do të arrijnë t’i kalojnë këto vështirësi dhe përqendrimin e vet do ta kthejnë në drejtim të objektivit madhor, që është pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës.
“Sigurova se pala kosovare mbetet e përkushtuar në këtë proces, mbetet aktive dhe konstruktive. Shpreha mendimin dhe dëshirën tonë që procesi për definimin e statusit të përshpejtohet dhe me këtë rast bindja jonë se zgjidhja e vetme dhe e mundshme për Kosovën është shtet i pavarur dhe sovran”, tha Çeku.
(Fund)




Çeku: Rezoluta e Serbisë nuk është asgjë e re, procesi ecën në drejtimin e vet

PRISHTINË, 15. shkurt 2007. (KosovaLive) - Rezoluta e Kuvendit të Serbisë kundër pakos së Martti Ahtisaari-t nuk do të ndikojë në dinamikën e procesit dhe në përkrahjen e gjithë botës për këtë plan, tha kryeministri i Kosovës, Agim Çeku.
“Ky qëndrim i Serbisë nuk është asgjë e re, por thjeshtë është një problem i tyre, ndërsa procesi ecën në drejtimin e vet”, tha Çeku.


Kreu i ekzekutivit kosovar, nxjerrjen e kësaj rezolute nga Kuvendi i Serbisë nuk e sheh si befasuese për askënd.
“Nuk do të ndikojë në procesin dhe as në përkrahjen që tani pakoja e Ahtisaari-t ka marrë pothuajse nga e gjithë bota, nga NATO-ja dhe BE”, tha Çeku.
Kreu i Qeverisë tha se pala kosovare ka marrë garanci të forta nga shumë shtete, pastaj mesazhet nga NATO-ja se në tërësi e mbështetin pakon e Ahtisaari-t, ndërsa nga ana tjetër, sipas tij, KFOR garanton tërësinë territoriale të Kosovës.
(Fund)




Salihaj: Policia ka mundur të neutralizonte protestën me shufra gome e gaz lotsjellës

PRISHTINË, 15. shkurt 2007. (KosovaLive) - Policia e UNMIK-ut dhe Shërbimi Policor i Kosovës do të mund të tejkalonte dhe neutralizonte këtë protestë duke i përdorur vetëm shufrat e gomës dhe gazin lotsjellës dhe sigurisht se përdorimi i plumbave të gomës në distancë të shkurtër tregon përdorimin joprofesional të tyre, pasojë e së cilës janë shkaktuar dy vdekje, tha për KosovaLive Jonuz Salihaj, ministër i Drejtësisë.

Sipas tij, kjo ngjarje nuk ka pasur nevojë të ndodhë në momentet e rrugëtimit final drejt zgjidhjes së statusit, dhe vlerësimet vendore dhe ndërkombëtare janë se kjo i ka sjellë dëm procesit.
“Në qoftë se liderët e lëvizjes ‘Vetëvendosje’ e kishin lajmëruar protestën dhe ishin konsultuar me kreun e sigurisë dhe me Shërbimin Policor të Kosovës, sigurisht se nuk do të vinte deri te kjo që ka ndodh”, tha ministri Salihaj, duke shtuar se kjo ka vështirësuar përcjelljen e protestës.
Për të, ky është një mesazh për të ardhmen që të jemi shumë më të kujdesshëm.
Sipas ministrit Salihaj, demonstrata nuk ka qenë e organizuar mirë, e një përshtypje të tillë ka fituar sidomos kur disa nga liderët e “Vetëvendosjes” kanë tentuar ta shpërthejnë kordonin e policisë dhe barrikadat dhe kjo ka bërë që policia të reagojë.
(Fund)




Krerët fetarë bëjnë thirrje për qetësi

PRISHTINË, 15. shkurt 2007. (KosovaLive) - Dy udhëheqësit e lartë fetarë në Kosovë, ai i besimit islam, myftiu Naim Tërnava dhe kreu i Kishës romano-katolike, ipeshkvi Dodë Gjergji, iu bënë thirrje të enjten të gjithë qytetarëve të Kosovës, që të kenë besim në institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, dhe të ruajnë qetësinë, pasi sipas tyre, Kosovës aktualisht më shumë se kurrë i nevojitet stabilitet.

Këtë thirrje, krerët fetarë e bënë përmes një komunikate të lëshuar për media, në të cilën, gjithashtu, familjarëve që tragjikisht humbën më të dashurit e tyre në protestën e 10 shkurtit iu shprehin ngushëllimet më të sinqerta.
Krerët fetarë, gjithashtu u bënë thirrje institucioneve përgjegjëse, që për hir të së vërtetës dhe të drejtës, si dhe të vet kredibilitetit të tyre, sa më parë të zbardhin faktet e ngjarjeve të fundit.
“Apelojmë tek të gjithë, që të mbizotërojë arsyeja, vetëpërmbajtja dhe besimi për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në apelin e krerëve fetarë.
Sipas tyre, të gjithë në Kosovë janë dëshmitarë se vendi po kalon nëpër një fazë vendimtare në historinë e saj më të re, andaj sipas tyre, është obligim i të gjithëve, të cilët ia donë të mirën Kosovës dhe popullit të saj, të japin kontributin e tyre, që në Kosovë të mbretërojë qetësia, stabiliteti dhe të ruhet rendi dhe të respektohet ligji./
(Fund)




<< 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 >>
SEARCH
Key words

From date

Till date


FORUMI

Fjalimi i përgaditur nga Don Shan Zefi, Kancelar ipeshkvinor, Kisha Katolike

Konferenca Ndërfetare mbi Koegzistencën Paqësore dhe Dialog
Patriarkana e Pejës
Pejë 2 -3 Maj 2006


© 1998-2005 CDRSEE, KosovaLive, Medijski Centar Beta
Përmbajtja e faqes së internetit www.kosovakosovo.com është përgjegjësi e Qendrës për Demokraci dhe Pajtim, Agjencisë së Lajmeve KosovaLive dhe Qendrës Mediale Beta, dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e donatorëve për Forumin Informativ Shqiptaro-Serb.