[ English ] [ Shqip ] [ Srpski ]
 
 






LAJMET
Schook thotë se TMK ka qenë sukses i madh për Kosovën

PRISHTINË, 13. shkurt 2007. (KosovaLive) - Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Steven Schook, pas një takimi që pati të martën me udhëheqësit e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), tha se ndonëse TMK-ja ka qenë një sukses i madh për Kosovën, ndërsa theksoi se misioni i saj është para përfundimit.

Schook theksoi se propozimi i kryenegociatorit Martti Ahtisaari parashikon përfundimin e misionit të TMK-së dhe formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në aneksin e shtatë të raportit të Ahtisaarit, parashihet formimi i një force tjetër mbrojtëse shumetnike në Kosovë, e quajtur Forca e Sigurisë së Kosovës. Kjo forcë, siç parashikon Ahtisaari, duhet të ketë 2 500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë, pa armë të rënda.
Ushtarët e FSK-së, ndërkaq sipas pakos, do të rekrutohen nga e gjithë Kosova, gjatë një procesi zyrtar të zgjedhjes, të zhvilluar bashkërisht nga prezenca ushtarake ndërkombëtare (IMP) dhe ajo kosovare. FSK fillimisht do të ketë detyra pak më të kufizuara, përfshirë shkatërrimin e mjeteve shpërthyese dhe çështje të tjera të mbrojtjes civile.
“Propozimi parashikon krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në një periudhë një vjeçare, misioni i TMK-së do të përfundojë”, theksoi Schook.
(Fund)




Vetëvendosja ka “rekrutuar” protestues edhe jashtë Kosovës, thotë Schook

PRISHTINË, 13. shkurt 2007. (KosovaLive) - Qytetarë nga më shumë se një shtet jashtë Kosovës, i janë bashkuar të shtunën më 10 shkurt, protestës së organizuar nga Lëvizja “Vetëvendosja”, prandaj për “rekrutimin” e protestuesve do të bëhen hetime të mirëfillta, premtoi të martën, zëvendësshefi i UNMIK-ut, Steven Schook.

Ai, pas një takimi që zhvilloi me shefin e opozitës, Hashim Thaçin, tha se nuk do të mbetet asnjë “gurë” pa u lëkundur, për të sjellë në vend faktet që çuan protestën drejtë dhunës.
“E sigurova Hashim Thaçin se UNMIK-u do ta bëjë hetimin me syçelëti. Asnjë gurë nuk do të mbetet pa u lëvizur dhe do ta gjejmë se çka ka ndodhur me rastin e këtyre vdekjeve tragjike…ne do të bëjmë hetime ndaj ‘Vetëvendosjes’ që pasoi me demonstrata të dhunshme”, u shpreh Schook.
Ajo që ka ndodhur të shtunën, sipas Schook, nuk mund të interpretohet ndryshe, përveç si ngjarje tragjike që ka tronditë Kosovën.
Mirëpo këto ngjarje, sipas tij, nuk duhet të ndërhyjë në procesin aktual nëpër të cilin po kalon Kosova.
(Fund)




Ombudspersoni kërkon hetime të pavarura për sjelljen e policisë

PRISHTINË, 13. shkurt 2007. (KosovaLive) - Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit, Hilmi Jashari, iu rekomandoi kryeadministratorit dhe kryeministrit që të bëjnë çdo gjë që është në pushtetin e tyre për të garantuar që do të zhvillohen hetime të pavarura mbi sjelljen e Shërbimit Policor të Kosovës dhe policisë së UNMIK-ut, gjatë protestës së “Vetëvendosjes” , ku për pasojë kanë humbur jetën dy qytetarë.

Në një letër dërguar kryeadministratorit Joachim Ruecker dhe kryeministrit Agim Çeku, Ombudspersoni i vendit shpreh shqetësimin e tij lidhur me rrethanat e vdekjes së dy kosovarëve gjatë protestës së datës 10 shkurt, të organizuar nga Lëvizja “Vetëvendosje”.
“Duke pasur parasysh vëllimin dhe seriozitetin e kësaj çështjeje, konsideroj që lëndimet që i pësuan një numër i madh i protestuesve dhe që në dy raste përfunduan me vdekje, ngrehin çështje serioze lidhur me proporcionalitetin e reagimit të policisë”, thotë Jashari.
Jashari kërkon nga organet më të larta të bëhen hetime thelbësore të pavarura mbi ngjarjet e së shtunës së kaluar, ose nga organet kompetente të prokurorisë, por edhe nga një komision i pavarur i krijuar enkas për këtë qëllim.
(Fund)




Autopsia konfirmon se Xheladini e Balaj kanë vdekur nga plumbat e gomës

PRISHTINË, 13. shkurt 2007. (KosovaLive) - Sipas rezultateve të autopsisë, Arben Xheladini dhe Mon Balaj kanë vdekur si pasojë e plagëve të marra në kokë me plumb gome, konfirmon Shërbimi Policor i Kosovës (SHPK), zyrtarë të të cilit thonë se ka filluar edhe hetimi i policisë lidhur me dhunën gjatë demonstratës së 10 shkurtit në Prishtinë.

Sipas një njoftimi zyrtar të policisë, rezultatet e autopsisë janë kryer të martën, ndërsa thuhet se “hetimi i policisë lidhur me dhunën gjatë demonstratës ka filluar”.
Komisari i Policisë së UNMIK-ut, Stephen Curtis, citohet të ketë thënë se “vdekja pikëlluese dhe tragjike e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, pas trazirave të shkaktuara nga 'Vetëvendosja', duhet të jetë pendim për të gjithë njerëzit”.
“Ne dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjeve në këtë kohë të vështirë”, citohet të ketë deklaruar Curtis
(Fund)




KMDLNJ vlerëson se ndaj Albin Kurtit po përgatitet një proces i montuar politik

PRISHTINË, 13. shkurt 2007. (KosovaLive) - Duke iu referuar deklaratës së kreut të Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) konstatoi se me rastin e tij po merret Ekipi i Unitetit dhe Grupi i Kontaktit dhe se ndaj tij po përgatitet një proces i montuar politik, ku dënimi nga gjykata do të jetë 10 vjet burg.

“Sipas deklaratës dhënë nga Albin Kurti, aktivist i lëvizjes ‘Vetëvendosje’, që edhe sot u vizitua nga KMDLNJ, ndaj tij po përgatitet një proces i montuar politik ku tërë përgjegjësinë për pasojat e protestave të 10 shkurtit po ia ngarkojnë atij dhe lëvizjes ‘Vetëvendosje’”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.
KMDLNJ thekson se rasti i është dorëzuar prokurores ndërkombëtare Elizabet Rehn, ndërkohë që Kurti ka refuzuar çdo bashkëpunim me hetuesit, por që me dëshirë e pret ballafaqimin me gjykatën.
“KMDLNJ konsideron se deklarata e Grupit të Unitetit pas protestave është dhunim i demokracisë, thirrje për linçim të Albin Kurtit dhe Lëvizjes ‘Vetëvendosje’. Grupi i Unitetit e merr njëkohësisht rolin e prokurorit, gjykatësit dhe ekzekutuesit, gjithnjë duke u thirr në gjyqësi të pavarur. Grupi i Unitetit sponsorues i dhunës dhe mbështetës i dhunës policore po e prejudikon fajësinë pa filluar ende hetimet”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e KMDLNJ-së.
(Fund)




Ekipi i Unitetit pohon se po bëhen hapat e fundit deri në shtegun e pavarësisë

PRISHTINË, 9. shkurt 2007. (KosovaLive) - Përfaqësuesit e Ekipit Negociator të Kosovës, e siguruan të premten legjislativin kosovar, se pakoja që është prezantuar nga ndërmjetësi Ahtisaari, është projekti parafinal që implementon vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran, të njohur ndërkombëtarisht.

Përfaqësuesit e Ekipit Negociator, secili nga prizmi i vet, kryetari Fatmir Sejdiu, kryeministri Agim Çeku, përfaqësuesit e opozitës, Hashim Thaçi e Veton Surroi, elaboruan detajet që përmban pakoja e ish presidentit finlandez, Ahtisaari. Pakoja, sipas tyre, është e pranueshme dhe hap perspektivë për Kosovën.
Edhe ligjvënësit nga ana e tyre i dhanë mbështetje të mëtejme Grupit të Unitetit, deri në jetësimin e pavarësisë, si obligim edhe kombëtar edhe human.
Kryetari Fatmir Sejdiu, që është edhe drejtues i ekipit kosovar tha se propozimi i Ahtisaari-t, i quajtur gjithëpërfshirës, e nis fazën e fundit dhe shpresëdhënës të përmbylljes së statusit të Kosovës.
“Pas leximit të kujdesshëm që i kemi bërë individualisht dhe si Ekip i Unitetit mund të themi me siguri të madhe se pakoja e Ahtisaari-t, Kosovën e çon në pavarësi dhe sovranitet. Prandaj, pakoja në tërësinë e saj, është e pranueshme për Ekipin e Unitetit edhe jam i bindur edhe për popullin e Kosovës”, u shpreh kryetari Sejdiu.
(Fund)




UNOSEK-u merr parasysh kërkesën e Serbisë, bisedimet shtyhen për 21 shkurt

PRISHTINË, 9. shkurt 2007. (KosovaLive) - Propozimi i Serbisë për shtyrjen e konsultimeve Prishtinë-Beograd, u mor parasysh nga Zyra e UNOSEK-ut dhe takimi i radhës do të mbahet më 21 shkurt në Vjenë, konfirmoi të premten në Prishtinë, zëvendës-kryenegociatori për statusin e Kosovës, Albert Rohan, edhe pse një ide e tillë ishte kundërshtuar fillimisht nga të gjithë mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Konsultimet do të fillojnë më 21 shkurt dhe siç kemi planifikuar do t’i përfundojmë para fillimit të muajit mars”, tha Rohan.
Rohan deklaroi kështu pas një takimi që zhvilloi në Prishtinë me Ekipin Negociator të Kosovës dhe anëtarët e Grupit Politik Strategjik, ku janë dhënë shpjegime shtesë rreth propozimit të Ahtisaarit që më pastaj të shkohet përmes tyre detaj për detaj.
Diplomati austriak, Rohan, deklaroi se ndërmjetësuesit dëshirojnë që të dyja palët të shkojnë në Vjenë dhe, sipas tij, edhe kryetari i Serbisë, Boris Tadic, i ka siguruar për këtë.
(Fund)




Amerikanët nuk do t’ia kthejnë shpinën Kosovës

PRISHTINË, 9. shkurt 2007. (KosovaLive) - Një delegacion i kongresmenëve dhe senatorëve amerikanë iu premtoi të premten në Prishtinë, institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk do t’ua kthejnë shpinën në këtë kohë kritike të zgjidhjes përfundimtare të statusit të vendit.

Delegacioni i ligjvënësve amerikanë po qëndron të premten për një vizitë në Kosovë dhe po zhvillon takime me zyrtarë të institucioneve të vendit. Gjatë qëndrimit në Kosovë ata do t'i vizitojnë trupat amerikane në kampin “Bondsteel”, si dhe do të zhvillojnë takime edhe me përfaqësuesit serbë të Kosovës.
Senatori Joe Lieberman, nga qyteti i Konektikat tha se janë shumë të lumtur që SHBA-të dhe NATO-ja ndërhynë për ta ndërprerë dhunën dhe për ta çliruar popullin e Kosovës për një të ardhme më të mirë.
“Gjithashtu çmojmë punën që është bërë prej atëherë (1999), përfshirë zgjedhjet, ndërtimin e mekanizmave për sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike dhe fetare”, tha ai.
(Fund)




Abramowitz: Kosova ka hedhur një hap të madh drejtë bërjes së shtetit

PRISHTINË, 9. shkurt 2007. (KosovaLive) - Kosova ka hedhur një hap të madh drejtë bërjes së shtetit, mirëpo ky proces nuk do të përfundojë shumë shpejtë tha të premten në Prishtinë, Morton Abramowitz, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG), pas një takimi që zhvilloi me nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Fatmir Limaj.

Abramowitz tha se është kënaqësi të jesh në Kosovë dhe sidomos në këto momente, siç i quajti ai, të rëndësishme për Kosovën.
“Besoj që një hap i madh është hedhur përpara, është një kontribut i madh për vendin tuaj, edhe pse procesi nuk ka përfunduar në tërësi”, tha ai.
Ai, ndonëse u shpreh paksa skeptik për përfundimin e shpejtë të procesit të zgjidhjes së statusit, tha se në këtë drejtim duhet të ketë shumë shpejtë lëvizje, në mënyrë që të ecet përpara me zhvillimin mëtutjeshëm të Kosovës.
“Pavarësisht skepticizmit... herën tjetër kur të vijë në Kosovë besoj që do të takojë qeveritarët shtetit të Kosovës”, përfundoi ai.
(Fund)




“Vetëvendosje” thotë se propozimi i Ahtisaari-t përmban të gjitha kërkesat e Serbisë

PRISHTINË, 9. shkurt 2007. (KosovaLive) - Drejtuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” iu bënë thirrje qytetarëve të Kosovës, që t'i bashkohen demonstratës së tyre, të parashikuar për të shtunën në Prishtinë, me qëllim që të kundërshtohet propozimi i Martti Ahtisaari-t për të ardhmen e vendit dhe të kundërshtohet puna e Ekipit Negociator, si dhe planet e tyre për të vazhduar bisedimet me Serbinë.

Demonstrata në organizim të lëvizjes “Vetëvendosja”, do të mbahet ashtu siç është paralajmëruar, më datën 10 shkurt, duke filluar në orën 14:00, me pikënisje nga qendra e Vetëvendosjes në qytezën “Pejton” në Prishtinë.
Kështu thanë përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosja” në konferencën për media, të premten në Prishtinë, duke pohuar se arsyet për demonstratë janë shumë të forta.
Sipas Glauk Konjufcës, anëtarë i lëvizjes “Vetëvendosje”, politikanët e Grupit Negociator në fillim thoshin se nuk do të ketë negociata për pavarësi me Serbinë, ndërsa jo vetëm që biseduan me të, por edhe gradualisht i pranuan kërkesat e Serbisë, të cilat kërkesa i përmban pakoja e Ahtisaari-t.
(Fund)




<< 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 >>
SEARCH
Key words

From date

Till date


FORUMI

Fjalimi i përgaditur nga Don Shan Zefi, Kancelar ipeshkvinor, Kisha Katolike

Konferenca Ndërfetare mbi Koegzistencën Paqësore dhe Dialog
Patriarkana e Pejës
Pejë 2 -3 Maj 2006


© 1998-2005 CDRSEE, KosovaLive, Medijski Centar Beta
Përmbajtja e faqes së internetit www.kosovakosovo.com është përgjegjësi e Qendrës për Demokraci dhe Pajtim, Agjencisë së Lajmeve KosovaLive dhe Qendrës Mediale Beta, dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e donatorëve për Forumin Informativ Shqiptaro-Serb.