[ English ] [ Shqip ] [ Srpski ]
 
 






LAJMET
Wisner: Propozimi i Ahtisaari-t është i shkëlqyeshëm dhe meriton mbështetje të plotë

PRISHTINË, 5. shkurt 2007. (KosovaLive) - I Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bisedimet rreth statusit të Kosovës, Frank Wisner, tha se propozimi i Martti Ahtisaari-t është i shkëlqyeshëm dhe meriton mbështetje të plotë, ndërsa paralajmëroi agjendë në Moskë për ta siguruar edhe mbështetjen ruse për procesin në vazhdim.

Wisner në të njëjtën kohë inkurajon palën shqiptare dhe atë serbe të vazhdojnë në mënyrë konstruktive me takimet e javëve të ardhshme në Vjenë dhe nëpër vetë kryeqytetet e tyre, ashtu që propozimi të marrë formën përfundimtare dhe të mund të arrijë në Kombet e Bashkuara.
Diplomati amerikan deklaroi kështu të hënën, pas takimeve të veçanta që pati me kryetarin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, Ekipin Negociator të Kosovës, kreun e PDK-së Hashim Thaçi dhe me kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku.
“Propozimi i Ahtisaari-t hap rrugën për një fillim të ri. Kur flas për një fillim të ri, kam parasysh se dokumenti thekson se ku do të jetë Kosova në të ardhmen, mënyrën se si komunitetet do të jetojnë pranë njëra-tjetrës, strukturën e saj dhe rolin e Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare”, tha Wisner.
(Fund)




Shtyhet vendimi rreth debatit parlamentar mbi propozimin për statusin

PRISHTINË, 5. shkurt 2007. (KosovaLive) - Kryesia e Kuvendit të Kosovës dhe shefat e Grupeve Parlamentare, do të shqyrtojnë të martën mundësinë, që para takimit të ardhshëm në Vjenë, që është caktuar për 13 shkurt, kur priten të jepen rekomandimet zyrtare rreth pakos së Ahtisaari-t, Kuvendi i Kosovës në seancën e ardhshme plenare, të jap vlerësimin e vet për këtë propozim.

Këto komente u dhanë të hënën pas mbledhjes së rregullt të kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku u shqyrtua rendi i ditës për seancën e ardhshme plenare. Megjithatë, pa prezencën e shefave të grupeve parlamentare, Kryesia nuk arriti të vendosë për të debatuar apo jo, pakon e Ahtisaari-t në Kuvend.
“Nesër do të kemi edhe një mbledhje të Kryesisë, bashkë me shefat e grupeve parlamentare, që të shohim deri ku kemi mbërritur në studimin e thellë të këtij propozimi. Nuk paragjykoj asgjë, meqenëse ka mbetur që të bisedohet edhe një herë nesër”, u shpreh Sabri Hamiti, anëtar i Kryesisë nga radhët e LDK-së.
Hamiti, megjithatë konfirmoi se propozimi i Ahtisaari-t u është shpërndarë të gjithë ligjvënësve, ashtu siç ishte kërkuar më parë.
(Fund)




Familjarët e personave të pagjetur të pakënaqur me pakon e Ahtisaari-t

PRISHTINË, 5. shkurt 2007. (KosovaLive) - Zyrtarët të Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, nuk janë të kënaqur me pakon e të dërguarit të posaçëm të OKB-së për statusin, Martti Ahtisaari, lidhur me çështjen e personave të pagjetur, pasi që sipas tyre, në propozimin për statusin politik nuk potencohet asgjë konkretisht për fatin e të pagjeturve.

Në njërën nga pikat për personat e pagjetur në pakon e Ahtisaari-t, thuhet se me këtë marrëveshje u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i ndërmarrin hapat e duhur për të përcaktuar dhe dhënë informata lidhur me identitetin, vendndodhjen dhe fatin e personave të zhdukur, në bashkëpunim të plotë me komunitetin ndërkombëtar, Kryqin e Kuq dhe partnerët tjerë relevantë.
Zyrtarët qeveritarë për persona të pagjetur, pakënaqësitë e tyre i kanë shprehur të hënën gjatë një takimi me zëvendësshefin e UNMIK-ut, Steven Schook, i cili këtij delegacioni i ka premtuar se do të angazhohet personalisht lidhur me këtë çështje.
Nysrete Kumnova, udhëheqëse e këtij komisioni tha se gjatë takimit me zv/shefin e UNMIK-ut, kanë parashtruar kërkesat e tyre që kanë tash e tetë vjet- zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. “Kërkuam që kjo çështje të përshpejtohet dhe të mos mbetet neglizhencë”, tha ajo.
(Fund)




Kosovarët thonë se objektet fetare s’kanë nevojë për shumë mbrojtje

PRISHTINË, 5. shkurt 2007. (KosovaLive) - Derisa në Ministrinë e Kulturës thonë se plani i të dërguarit të OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare është i tepruar meqë nuk ka arsye për mbrojtje të asaj shkalle, analistë kosovarë theksojnë se kjo ka ardhur si pasojë e drejtpërdrejtë e sulmit dhe shkatërrimit të një numri të objekteve fetare ortodokse, gjatë ngjarjeve të marsit 2004.

Veli Bytyqi, zëdhënës për informim në Ministrinë e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente (MKRSJÇ), tha për KosovaLive se qytetarët e Kosovës, trashëgiminë kulturore e fetare të secilit nacionalitet në Kosovë, e kanë trajtuar ashtu si duhet dhe e kanë ruajtur me shekuj.
“Vlerësuar nga aspekti institucional ose profesional të institucioneve tona, të cilat merren me trashëgimi kulturore dhe duke u bazuar në ligjin për trashëgimi kulturore, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës, të gjitha vlerat kulturore garantohen me ligj dhe qytetarët e Kosovës, nuk kanë asnjë arsye për t’i dëmtuar”, tha Bytyqi.
Zgjerimin e listës dhe shtimin e numrit të objekteve të trashëgimisë kulturore fetare, të cilat sipas pakos së Ahtisaari-t do të duhej të kthehen në zona të mbrojtura, Bytyqi e konsideron paksa të ekzagjeruar, pasi që sipas tij, nuk ekziston ndonjë drojë se ato mund të dëmtohen apo rrënohen.
(Fund)




Lajçi vetëlavdërohet pasi që decentralizimi e ka anashkaluar komunën e tij

PRISHTINË, 5. shkurt 2007. (KosovaLive) - Kryetari i Kuvendit Komunal (KK) të Pejës, Ali Lajçi, të hënën, gjatë seancës së rregullt të kuvendit lokal, e ka lavdëruar veten para këshilltarëve pejanë, duke pohuar se ata duhet të mburrën me kryetarin që kanë, për shkak se Peja ka mbetur jashtë kartës decentralizuese.

Duke e diskutuar para këshilltarëve pakon e Ahtisaarit, Ali Lajçi, mori mbi vete të gjitha meritat që decentralizimi kësaj here ka anashkaluar Pejën dhe e ka lënë atë, sipas Lajçit, të pastër dhe pa “kantonizime”.
“Ju duhet të mburreni me kryetarin që keni në Pejë, sepse nuk kam pranuar kurrfarë decentralizimi, me gjithë presionet që ka pasur nga ndërkombëtarët. Iu kam thënë atyre njerëzve lartë se në Pejë decentralizimin do ta bëjmë vet pasi ta bëjmë Kosovën të pavarur”, iu ka thënë Lajçi, këshilltarëve pejanë.
Këshilltarët e KK të Pejës, pasi kanë dëgjuar vetëlëvdatat e Lajçit, kanë zgjedhur panelin intervistues prej nëntë anëtarëve, për zgjedhjen e kryeshefit të ri të ekzekutivit.
(Fund)




Organet e mbrojtjes dhe sigurisë, të gatshme për ta penguar destabilizimin e Kosovës

PRISHTINË. 30 janar 2007. (KosovaLive) - Komandanti i paqeruajtësve të KFOR-it, gjenerali Roland Kather, kryeministri Agim Çeku dhe komisari i policisë së UNMIK-ut, Steven Curtis, u bënë thirrje të martën qytetarëve të Kosovës që të përmbahen nga elementet e dhunës gjatë ditëve në vijim, në mënyrë që Kosova, sipas tyre, të realizojë qëllimin e saj në një ambienti të qetë dhe të sigurt.

Përfaqësuesit e tri institucioneve më të rëndësishme të vendit, i bënë këto komente pas një takimi të përbashkët që zhvilluan me kryetarët e komunave të Kosovës.
Në këtë takim, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të jetës politike dhe të sigurisë në vend, u bë thirrje kryesisht për shmangie të qytetarëve nga ata që planifikojnë prishjen e qetësisë.
Ndryshe, është zgjedhur takimi me kryetarët e komunave të Kosovës me qëllim që, siç tha kryeministri Çeku, administratat komunale si më të afërta me qytetarët e Kosovës, më lehtë t’i artikulojnë rekomandimet. Komunat e veriut të Kosovës dhe ato që janë të përfshira në procesin e decentralizimit, mbesin ndërkaq, problemi më i madh për institucionet e Kosovës.
(Fund)




Sejdiu dhe Thaçi mirëpresin Ahtisaari-n dhe pakon e tij për statusin

PRISHTINË. 30 janar 2007. (KosovaLive) - E presim me kureshtje dhe besim ardhjen e kryenegociatorit Martti Ahtisaari në Prishtinë dhe besojmë se pakoja e tij do të jetë fryt i frymës së mirë të bashkëpunimit që kemi pasur me të, që do të largojë edhe de jure sovranitetin e Serbisë nga Kosova, thanë kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.

Sejdiu dhe Thaçi kanë deklaruar kështu të martën gjatë takimeve të ndara që patën me Torbjorn Sohlstrom, përfaqësues i shefit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë të Bashkimit Evropian (BE), Javier Solana.
Kryetari i vendit, gjatë këtij takimi është shprehur i bindur se pakoja e Ahtisaari-t, do të jetë e bazuar në vullnetin e popullit të Kosovës dhe fryt i bashkëpunimit që pala kosovare ka pasur me të.
“Ne e presim me kureshtje dhe besim ardhjen e Ahtisaari-t. Besojmë se pakoja e tij do të jetë fryt i frymës së mirë të bashkëpunimit që kemi pasur me të”, tha Sejdiu.
(Fund)




Moisiu kërkon pavarësinë e Kosovës në një letër dërguar Ban Ki Mun-it

TIRANË, 30. janar 2007. (KosovaLive) Presidenti shqiptar, Alfred Moisiu, ka deklaruar se Kosovës duhet që t’i jepet ai status që është në përputhje me vullnetin e popullit kosovar, në mënyrë që edhe vetë Kosova edhe vetë Serbia të jetojnë si dy popuj fqinj në rajon.

Moisiu e ka bërë këtë deklaratë në një letër që i ka shkruar Ban Ki Mun, sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në agjendën e së cilës së shpejti do të gjendet Kosova.
"Është e rëndësishme të theksohet se luftërat që pasuan shpërbërjen e Ish-Federatës Jugosllave në vitet e 90-ta, si dhe koha që ka rrjedhur që kur Kosova u vendos nën administrimin e Kombeve të Bashkuara kanë dëshmuar se ky status lipset të jetë në përputhje me vullnetin e shumicës së popullit të Kosovës e po ashtu të reflektojë përpjekjet dhe angazhimin e komunitetit ndërkombëtar për një Ballkan të qetë e të stabilizuar, i cili duhet të ndahet përfundimisht nga trashëgimia e Luftës së Ftohtë dhe ethet e nacionalizmit agresiv," thotë ai.
Moisiu shpreh bindjen e shtetit të cilin e kryeson se Ballkani Perëndimor do të shohë të ardhmen e tij në integrimet euro-atlantike me Kosovën e Serbinë si dy shtete fqinje pranë njëri-tjetri.
(Fund)




RSSB rekomandon Shërbim Sigurimi, Ministri Mbrojtjeje dhe Forcë të re Mbrojtëse

PRISHTINË. 30 janar 2007. (KosovaLive) - Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, (UNDP), të martën zyrtarisht ka prezantuar Raportin e rishikimit të sektorit për siguri të brendshme (RSSB), ku argumenton nevojën e rolit dhe ndikimit të aktorëve mbikëqyrës të sektorit të sigurisë në Kosovë, si dhe në fuqizimin e strukturave të tanishme të sigurisë.

Ky raport është bërë në bashkëpunim me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës (IPVQ).
Gjatë këtij prezantimi është thënë se këto rekomandime janë të parapara të ilustrojnë arkitekturën e sigurisë, për të cilën Kosova ka nevojë, pa paragjykim në procesin e statusit.
Për bashkërendimin e politikave të sigurisë, raporti rekomandon krijimin e Këshillit për Siguri të Kosovës, që do të ishte koordinatori kryesor i politikave të sigurisë.
Më tutje raporti rekomandon krijimin e institucioneve të reja të sigurisë, përfshirë këtu Shërbimin e Sigurimit, përgjegjës i të cilit do të ishte kryeministri, mandej Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e re Mbrojtëse të Kosovës.
(Fund)




Ministria e kthimit, tash e tutje menaxhon projektet e kthimit të serbëve

PRISHTINË. 30 janar 2007. (KosovaLive) - Ministria për Komunitete dhe Kthim (MKK), të martën në Prishtinë, ka arritur marrëveshje me UNDP-në, Zyrën për komunitete dhe kthim të UNMIK-ut dhe faktorët tjerë relevant ndërkombëtarë, që zbatimin e të gjitha projekteve për kthimin e të zhvendosurve serbë ta bëjë MKK-ja.

Fatmir Sheholli, zëdhënës për informim i MKK-së, tha se në periudhën dy mujore, MKK-ja ka arritur të zvogëlojë shpenzimet e derivateve dhe telefonave, si dhe ka fituar një donacion prej 800 mijë eurosh nga Agjencia Evropiane për Rindërtim (AER), mjete të cilat do të përdoren për ngritje të kapaciteteve në administratë.
“Gjithashtu, duke u bazuar në ligjshmërinë dhe rregulloret e caktuara qeveritare, brenda 60 ditëve kemi bërë rikonsolidimin e stafit civil dhe kemi arritur të krijojmë ambient ligjor, i cili ka reflektuar në koherencë me raportet e auditorit të përgjithshëm dhe kontrollit të brendshëm”, tha Sheholli.
Ai tha se brenda këtyre 60 ditëve, MKK-ja ka ndarë çelësat e shtëpive për të kthyerit në fshatin Babush të Ferizajt dhe në fshatin Klinavc në komunën e Klinës, ndërkohë që pritet së shpejti të bëhet ceremonia e ndarjes së çelësave në fshatin Zoqisht të Rahovecit.
(Fund)




<< 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 >>
SEARCH
Key words

From date

Till date


FORUMI

Fjalimi i përgaditur nga Don Shan Zefi, Kancelar ipeshkvinor, Kisha Katolike

Konferenca Ndërfetare mbi Koegzistencën Paqësore dhe Dialog
Patriarkana e Pejës
Pejë 2 -3 Maj 2006


© 1998-2005 CDRSEE, KosovaLive, Medijski Centar Beta
Përmbajtja e faqes së internetit www.kosovakosovo.com është përgjegjësi e Qendrës për Demokraci dhe Pajtim, Agjencisë së Lajmeve KosovaLive dhe Qendrës Mediale Beta, dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e donatorëve për Forumin Informativ Shqiptaro-Serb.