[ English ] [ Shqip ] [ Srpski ]
 
 






LAJMET
Çeku i bindur se s’ka trazira dhe që Kosova do të jetë e pavarur

PRISHTINË, 26. janar 2007. (KosovaLive) - Nuk pres që kosovarët do të jenë plotësisht të kënaqur me gjithçka përmban pakoja e Martti Ahtisaari-t për statusin e Kosovës, ndërsa përjashtoj mundësinë e tensionimit të situatës në vend, pas publikimit të propozimit për statusin politik të vendit, tha kryeministri i Kosovës, Agim Çeku.

Kreu i ekzekutivit kosovar, Agim Çeku, u shpreh i bindur se Martti Ahtisaari, do ta sjellë substancën e shtetit, brenda kufijve ekzistues të Kosovës.
Nuk pres që ne do të jemi të kënaqur më çdo gjë qo do të shohim në pakon e tij, por do ta kemi mundësinë që t’i shprehim komentet tona dhe propozimet tona për ndryshime të mundshme”, tha ai.
Por, Çeku hodhi poshtë mundësinë e tensionimit të situatës, sidomos në veri të Kosovës, pas prezantimit të propozimit për statusin politik.
“Jemi duke përcjellë situatën atje. Shërbimi Policor i Kosovës dhe KFOR-i do ta garantojnë sigurinë tani edhe pas statusit”, tha Çeku.
(Fund)




Rezoluta e KE-së tregon se në Evropë ka frikë nga vendimet e mëdha, thotë Çeku

PRISHTINË, 26. janar 2007. (KosovaLive) - Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku e cilësoi si tepër zhgënjyese, Rezolutën e djeshme, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, në të cilin u hoq një nen, i cili propozonte pavarësi të kushtëzuar për Kosovën, duke dëshmuar, siç tha ai, se disa shtete të Evropës ende s’e kanë vullnetin për ta pranuar pavarësinë.

Kryeministri kosovar, i bëri këto komente pas takimit të rregullt javor që zhvilloi me shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker. Me këtë të fundit, Çeku tha se ka biseduar për përgatitjet para ardhjes së Ahtisaari-t më 2 shkurt, ku ai do të prezantojë një propozim gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës.
“Në radhë të parë, dua ta shpreh pakënaqësinë time me rrjedhën e sesionit parlamentar të Këshillit të Evropës. Për neve është shumë zhgënjyes fakti se është hequr nga Rezoluta pika e katërt për mbështetje të pavarësisë së Kosovës”, u shpreh kryeministri Çeku.
Edhe një herë, sipas tij, është dëshmuar se Evropës i mungon guximi për marrjen e vendimeve të vështira. Megjithë zhgënjimin, kryeministri kosovar shpreson se në momentet vendimtare kur duhet të mbështetet konkretisht pavarësia e Kosovës, Evropa do të jetë unike dhe do ta mbështesë pavarësinë.
Në mbledhjen e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Çeku konsideron se ka pasur edhe elemente pozitive. Ai përmendi faktin se nga Rezoluta është hequr edhe paragrafi që parashikonte që Serbia të ketë autoritet mbi Kosovën, në ndërkohë Kosova është cilësuar si vend unik.
(Fund)




Qeveria thotë se KE trajtoi Kosovën si rast të veçantë

PRISHTINË, 26. janar 2007. (KosovaLive) - Qeveria vlerëson se në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KE), Kosova është trajtuar si një rast i veçantë dhe kjo tregon shumë, ndërsa rreth hezitimit të njohjes së pavarësisë, thuhet se KE merret me çështjet e demokratizimit dhe nuk është e domosdoshme njohja e pavarësisë së Kosovës prej saj.

Kështu deklaroi të enjten, në emër të kryeministrit të Kosovës, zëdhënësja e tij, Ulpiana Lama, e cila thotë se vlerësimi i qeverisë ishte se nëse do të ishte kaluar ajo Rezolutë, ashtu siç e kishte paraqitur nga Lordi Russel Russel-Johnston, do të kishte një akt i paprecedent.
Këshilli i Evropës, me shumicë votash ka miratuar një amendament i cili kërkonte që nga Rezoluta të hiqej paragrafi 4, ku shprehej përkrahja për pavarësinë e kushtëzuar, si zgjidhje më e mirë për statusin e Kosovës.
Për këtë gjë, zëdhënësja e kryeministrit tha se Këshilli i Evropës zakonisht merret me çështjet e demokratizimit dhe nuk është e domosdoshme njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e saj.
(Fund)




Kosovarët shpresojnë se sivjet do të marrin kompetenca në siguri dhe ekonomi

PRISHTINË, 26. janar 2007. (KosovaLive) - Qeveria e Kosovës, mëton të marrë gjatë këtij viti kompetenca nga bashkësia ndërkombëtare për fushën e sigurisë dhe ekonomisë.

Komentet erdhën të enjten nga kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, pas takimeve të ndara që pati me ministrin e Punëve të Brendshme (MPB) dhe ministrin e Ekonomisë dhe Financave (MEF), Haki Shatrin.
Qëllimi i këtyre takimeve, sipas Çekut, ishte njohja dhe shtytja e objektivave të këtyre ministrive për vitin 2007 dhe harmonizimi i tyre me vizionin e përgjithshëm të qeverisë.
Sipas tij, detyra kryesore për këtë vit e MPB-së është bartja e përgjegjësive.
“Duhet të kalojnë të gjitha përgjegjësitë në ngritjen e kapaciteteve të nevojshme, që të inkorporohet në tërësi policia e Kosovës në kuadër të ministrisë dhe të krijohen mekanizma apo procedura të bashkëpunimit me komponentin policor në të ardhmen në Kosovë”, tha Çeku.
(Fund)




Wnendt (OSBE): Artana është dëshmi se qytetarët munden e duan të jetojnë bashkë

ARTANË, 26. janar 2007. (KosovaLive) - Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Wernard Wnendt tha të enjten se OSBE-ja do të mbështesë komunat në vazhdimësi para dhe pas zgjedhjes së statusit pasi, siç tha ai, vetëqeverisja lokale ka rëndësi të madhe.

Ai u shpreh kështu në Artanë (ish-Novobërdë), gjatë një takimi me kryetarin e komunës, Petar Vasic, këshilltarët komunalë dhe qytetarët e kësaj komune me të cilët është debatuar për transparencën e komunës ndaj qytetarëve.
Gjatë vizitës kësaj komune, Wnendt tha se Artana është shembull për komunat tjera të Kosovës për bashkëjetesë shumetnike, ku qytetarët nga të gjitha komunitetet jetojnë dhe ballafaqohen njësoj me të gjitha problemet.
“Artana është dëshmi se qytetarët e Kosovës, munden dhe duan të jetojnë së bashkë dhe se janë të gatshëm ta ndërtojnë bashkërisht të ardhmen”, tha ai.
Wnendt tha se vetëqeverisja lokale është e rëndësishme dhe pjesë e statusit, por pritet të shohim se çfarë do të sjellë në këtë aspekt pakoja e të dërguarit të OKB-së, Martti Ahtisaari-t.
“Ne po përpiqemi që t’i ofrojmë sa më shumë qytetarët me administratën dhe të mos mungojë transparenca e cila është e domosdoshme,” tha ai.
(Fund)




Ahtisaari lajmëron Sejdiun se pakon e statusit e sjellë më 2 shkurt

PRISHTINË, 24. janar 2007. (KosovaLive) - I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, finlandezi Martti Ahtisaari, do të vijë më 2 shkurt në Kosovë për t’ia prezantuar Prishtinës zyrtare, planin e tij për statusin e Kosovës, njoftoi të martën, Skënder Hyseni, zëdhënës i Grupit Negociator.

Hyseni i bëri këto komente, pas një letre që Ahtisaari i ka dërguar të martën kryetarit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ai e njofton këtë të fundit, se vizita do të realizohet pasditen e 2 shkurtit (e premte), në të cilën edhe do t’ia paraqes presidentit të Kosovës dhe Ekipit Negociator pakon e tij për statusin.
“Presidenti Ahtisaari e njofton presidentin Sejdiu se ai do të vijë në Prishtinë në pasdreken e 2 shkurtit për të transmetuar një raport gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”, u shpreh, zëdhënësi i Ekipit Negociator, Skënder Hyseni.
Ai në një deklaratë dhënë për mediat kosovare, nuk u ndal në detajet e mundshme që mund të përfshihen në pako, por vetëm shfaqi optimizmin se propozimi i 2 shkurtit do të jetë propozim për jetësimin e pavarësisë së Kosovës.
(Fund)




Vihet në dyshim propozimi i Ahtisaari-t për Kosovën në Parlamentin Evropian

STRAZBUR, 24. janar 2007. (KosovaLive) - Derisa presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Rene Van Der Linden, një ditë më parë tha se emisari Martti Ahtisaari do ta shpalosë pakon e tij për statusin të mërkurën, zyrtarë të lartë të Këshillit të Evropës, thanë të martën në Strasbourg se Ahtisaari, më tepër do të flasë për procesin e bisedimeve, por jo edhe për propozimin e tij për të ardhmen e Kosovës.

"Nuk besoj se Ahtisaari do ta shpalosë pakon e tij për statusin, duke marrë parasysh se ai do të takohet me Grupin e Kontaktit të premten dhe do ta paraqes planin e tij për të ardhmen e Kosovës", tha drejtoresha e Departamentit të Përgjithshëm për Çështje Politike në Këshillin e Evropës, Claudia Luciani.
Ajo nuk deshi të komentojë deklaratën e presidentit Van Der Linden, i cili me mburrje pohoi të hënën në seancën e radhës të Këshillit të Evropës, se "është shumë domethënëse që Ahtisaari ka zgjedhur asamblenë e vetme parlamentare të demokracisë evropiane, për të diskutuar për herë të parë raportin e tij për të ardhmen e Kosovës".
Lidhur me seancën e nesërme plenare të Këshillit të Evropës, në të cilën pritet të diskutohet për Kosovën, drejtoresha Luciani tha se të mërkurën pritet të votohet rezoluta e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë për Kosovën.
(Fund)




Qeveria merr “hise” në trajtimin e refugjatëve dhe të zhvendosurve

PRISHTINË, 24. janar 2007. (KosovaLive) - Qeveria e Kosovës nënshkroi të martën një marrëveshje mirëkuptimi me Agjencinë për refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR), përmes të cilës, në të ardhmen ajo merr përgjegjësi për sistemimin dhe akomodimin e refugjatëve që gjenden brenda territorit të Kosovës

Marrëveshja e mirëkuptimit në mes Qeverisë së Kosovës dhe UNHCR-së, nënkupton bashkëpunimin dhe bashkërenditjen e të gjitha aktiviteteve ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe UNHCR-ës që kanë të bëjnë me refugjatë dhe me të zhvendosurit, thanë përfaqësuesit e institucioneve të lartpërmendura.
Sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Lutfi Haziri, me anë të kësaj marrëveshjeje parashihen politikat dhe përgjegjësitë për koordinim më të mirë në ndërtimin e një ambienti të qëndrueshëm politik, në mënyrë që të zhvendosurit të trajtohen sipas ligjit.
“Janë identifikuar tri ministritë që duhet t’i marrin angazhimet si; Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria për Kthim dhe Komunitete si dhe komunat e Kosovës”, tha Haziri.
Sipas tij, prioritet do të jetë bashkërenditja e të gjitha aktiviteteve që kanë të bëjnë me ndërtimin e kapaciteteve, me trajtimin e personelit dhe angazhimet tjera në aspektin financiar, që deri tani ishin nën përkujdesjen e UNHCR-së.
(Fund)




Gjen. Bollee merr komandën e KFOR-it për rajonin e Mitrovicës

MITROVICË, 24. janar 2007. (KosovaLive) - Vigjilenca, kërkesa dhe mendja e hapur janë parimet të cilat do t’i ketë parasysh e do t’i zbatojë në mënyrë që të jetë sa më i suksesshëm në misionin e tij, ka thënë të martën komandanti i ri i Task Force Shumëkombëshe të Veriut, gjenerali Clement Bollee.

Në komandën e TFSHV, në Magjunaj të Vushtrrisë të martën është bërë ndërrimi komandës së KFOR-it për rajonin e Mitrovicës, në krye të së cilës deri tash ishte gjenerali Duquesne.
“Gjatë muajve të fundit situata në rajonin tim të përgjegjësisë, por edhe në tërë Kosovën ka qenë e qetë. Mendoj se kjo qetësi tregon se Kosova ec përpara drejt vendosjes së një shoqërie demokratike dhe paqësore” ka thënë gjen. Duquesne.
Ai ka shprehur besim të madh se procesi i udhëhequr nga Martti Ahtisaari për statusin e Kosovës do të jetë i suksesshëm dhe i mbështetur nga angazhimi dhe pjekuria politike gjithnjë e më e madhe e banorëve të Kosovës.
(Fund)




Brenda një viti, në Istog janë kthyer 110 familje serbe

ISTOG, 24. janar 2007. (KosovaLive) - Komuna e Istogut ka bërë përparim në kthimin e të zhvendosurve të të gjitha komuniteteve, veçmas të atij serb, pasi gjatë vitit 2006, janë kthyer 110 familje serbe, thanë zyrtarët komunalë.

Sipas zyrtarit komunal për kthim dhe komunitete, Bajram Qelaj, gjatë vitit 2006 janë zbatuar tri projekte për kthim në lagjet “Lug” e ”Bllagaq” dhe fshatrat Koshë e Oprashkë, ku janë kthyer, në mënyrë të organizuar, 103 familje serbe. Ndërsa, në mënyrë individuale janë kthyer 7 familje serbe.
Përveç këtyre familjeve, gjatë vitit të kaluar, në Istog, sipas tij, janë kthyer edhe disa familje boshnjake, egjiptase dhe të komunitetit ashkali.
“Vitin e kaluar janë kthyer 464 persona të komuniteteve të ndryshme, prej tyre 385 serbë. Ndërsa, që nga pas lufta e deri tani, në komunën e Istogut, numri i serbëve të kthyer është 775. Gjithashtu janë kthyer 380 egjiptas, 236 boshnjakë dhe 23 romë”, tha ai.
(Fund)




<< 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 >>
SEARCH
Key words

From date

Till date


FORUMI

Fjalimi i përgaditur nga Don Shan Zefi, Kancelar ipeshkvinor, Kisha Katolike

Konferenca Ndërfetare mbi Koegzistencën Paqësore dhe Dialog
Patriarkana e Pejës
Pejë 2 -3 Maj 2006


© 1998-2005 CDRSEE, KosovaLive, Medijski Centar Beta
Përmbajtja e faqes së internetit www.kosovakosovo.com është përgjegjësi e Qendrës për Demokraci dhe Pajtim, Agjencisë së Lajmeve KosovaLive dhe Qendrës Mediale Beta, dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e donatorëve për Forumin Informativ Shqiptaro-Serb.