[ English ] [ Shqip ] [ Srpski ]
 
 






LAJMET
Van Der Linden: Raporti i Ahtisaari-t për herë të parë paraqitet në Këshillin e Evropës

PRISHTINË, 22. janar 2007. (KosovaLive) - Rene Van Der Linden, i rizgjedhur të hënën president i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, paralajmëroi për të mërkurën, në Strasbourg raportimin e të dërguarit të KB-së Martti Ahtisaari, lidhur me strategjinë e tij për definimin e statusit politik të Kosovës.

“Është shumë sinjifikante se Ahtisaari ka zgjedhur asamblenë e vetme parlamentare të demokracisë evropiane, për të diskutuar për herë të parë raportin e tij për të ardhmen e Kosovës”, tha Linden.
Pas rizgjedhjes në krye të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Linden u zotuan para deputetëve se do të ruajë vlerat e këtij institucioni. Duke bërë një retrospektivë të punës së Këshillit gjatë vitit të kaluar ai tha se “është arritur një progres i madh lidhur me hartimin e prioriteteve”, të cilat kanë ndikuar në rritjen e vizionit të Këshillit.
Ai ka kërkuar nga vendet anëtare një angazhim më të shtuar për respektimin e të drejtave të njeriut në Evropë, duke precizuar se të drejtat e njeriut janë “janë elementi esencial për të gjitha politikat”.
(Fund)




Çeku: Kosova nuk bën të mbetet peng e udhëtimit të ndërlikuar të Serbisë

PRISHTINË, 22. janar 2007. (KosovaLive) - Një javë para se ndërmjetësi ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, të shpalos pakon e tij për statusin, kryeministri Agim Çeku thotë se Grupi i Unitetit do ta shqyrtojë me shumë vëmendje propozimin dhe do të pranojnë vetëm ato specifika që janë në përputhje të plotë me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

Kryeministri Çeku i bëri këto deklarata në kuadër të fjalimit të tij javor në radio, duke rikonfirmuar angazhimin e qeverisë së tij dhe të qytetarëve të Kosovës, për t’i përmbushur standardet për integrim në bashkimin Evropian.
“Gjatë kësaj jave pritet që presidenti Ahtisaari t’ia paraqesë anëtarëve të Grupit të Kontaktit dokumentin teknik dhe politik me rekomandimet për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ky dokument do të arrijë një javë më vonë në Prishtinë. Në Grupin e Unitetit do ta shohim me sy kritik këtë material voluminoz. Ai do të jetë i pranueshëm për ne, në masën që pasqyron interesat e qytetarit të Kosovës”, tha Çeku.
Ai po ashtu njofton se edhe për takimin e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, të cilët sot në Bruksel do të diskutojnë rreth Kosovës.
“Shfrytëzoj rastin të përkujtoj dhe konfirmoj se Kosova e ka bërë zgjedhjen e saj. Kosova është pro-evropiane, ajo ndan vlerat dhe normat evropiane”, thotë Çeku.
(Fund)




Kosovarët thonë se ka ardhur koha të propozohet statusi politik

PRISHTINË, 22. janar 2007. (KosovaLive) - Institucionet dhe partitë politike të Kosovës, konsiderojnë se zgjedhjet në Serbi nuk do të reflektojnë më në zgjidhjen e statusit të Kosovës, duke shtuar se përfundimi i procesit zgjedhor atje duhet të shënojë edhe fillimin e procesit të përcaktimit të statusit, sipas dinamikës së premtuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Pala kosovare, pas zgjedhjeve serbe që u mbajtën të dielën e që sipas rezultateve, vota më së shumti kanë marrë radikalët serb, thonë se opinioni dhe strukturat politike atje ende nuk janë të gatshëm për një demokraci të mirëfilltë.
Prishtina zyrtare, në këto momente pret nga bashkësia ndërkombëtare të mos ketë më shtyrje të procesit të statusit, pasi zgjedhjet në Serbi përfunduan.
(Fund)




Shqiptarët e Luginës... optimistë se kanë fituar një ulëse në Kuvendin e Serbisë

PRISHTINË, 22. janar 2007. (KosovaLive) - Udhëheqësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët morën pjesë të dielën në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, edhe pse jo zyrtarisht, deklarojnë të kenë fituar një ulëse në parlamentin serb, duke u rikthyer atje pas më shumë se një dekade.

Shtabi zgjedhor i koalicionit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilin e përbënin Partia për Veprim Demokratik (PVD) e Riza Halimit dhe Bashkimi Demokratik i Luginës (BDL) i Skënder Destanit, deklarojnë të kenë fituar rreth 15 mijë vota të shqiptarëve në zgjedhjet e të dielës.
Sipas rezultateve preliminare të ofruara nga shtabi zgjedhor i koalicionit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, koalicioni ka marrë 15.768 vota në tri komunat në Luginë të Preshevës. Në Preshevë, për koalicionin kanë votuar 8.640 vota, në Bujanoc 6.360 dhe në Medvegjë 768 vota.
Ndërkaq, Qendra për zgjedhje të lira e demokratike në Serbi (CeSID) jep shifra pak më të ulëta. Ata deklarojnë se koalicioni i shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka marrë 12.758 vota në gjithë Serbinë.
(Fund)




Trend pozitiv i situatës së sigurisë në Mitrovicë, vlerësojnë krerët komunalë e të KFOR-it

MITROVICË, 22. janar 2007. (KosovaLive) - Situata e sigurisë në katër muajt e fundit ka pasur trend pozitiv, para së gjithash falë kontributit të qytetarëve të komunës, të cilët kanë treguar përgjegjësi dhe sjellje të matura, duke e kuptuar rëndësinë që kanë për komunën dhe vendin proceset në zhvillim e sipër dhe angazhimit të pakursyer të pjesëtarëve të TFSHV-së, është thënë në një takim, të hënën mes krerëve të komunës së Mitrovicës dhe komandantëve rajonal të KFOR-it.

Në kuadër të një vizite njohëse me komandantin e ri të Task Force Shumëkombëshe të Veriut, gjenerali Marc Duquesne dhe pasuesit së tij, gjenerali Clement Bollee, i cili do ta marrë komandën e TFSHV-së nesër, paradite janë takuar me anëtarët e Këshillit Nacional Serb, ndërkohë që në orët e pasdites kanë vizituar Kuvendin Komunal të Mitrovicës.
Në takim është vlerësuar lartë bashkëpunimi i udhëheqjes komunale dhe autoriteteve të TFSHV-së, me në krye gjen. Duquesne.
“Falë një ambienti të këtillë të qetë e të sigurt, për të cilën kanë kontribuar mjaft edhe UNMIK, OSBE, SHPK dhe faktorët tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, në komunë janë arritur rezultate të mira në realizimin e standardeve të përcaktuar nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos në realizimin e standardeve që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe kthimin e personave të zhvendosur, duke theksuar rindërtimin e shtëpive të dëmtuara të serbëve në Frashër dhe realizimin e projektit për kthim në Lagjen e Romëve” ka thënë z/kryetarja e KK të Mitrovicës, Fatmire Berisha.
(Fund)



Sejdiu merr premtimin për angazhim shtesë të BE-së në Kosovë

PRISHTINË, 16. janar 2007. (KosovaLive) - Bashkimi Evropian do të vazhdojë shtimin e angazhimit për Kosovën, në mënyrë që të krijohet stabilitet rajonal, tha të hënën në Bruksel, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Javier Solana, gjatë një takimi që zhvilloi me kryetarin e Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Solana nuk precizoi konkretisht se cili do të jetë angazhimi shtesë i BE-së, por tha se kjo do të varet nga specifikat e vendimit të Kombeve të Bashkuara për statusin e vendit.
Shefi i diplomacisë evropiane tha se i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, në fillim të shkurtit, do ta paraqesë propozimin e tij për statusin.
Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, përveç Solanës, u takua të hënën në Bruksel edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hopp Schefer, me të cilin bisedoi për rolin e Aleancës Veriatlantike në Kosovë edhe pas përcaktimit të statusit.
Kabineti i kryetarit Sejdiu, njoftoi se gjatë takimeve të nivelit të lartë në Bruksel, Sejdiu e paraqiti vizionin e institucioneve të Kosovës dhe të popullit të saj për Kosovën shtet të pavarur e sovran, me përgjegjësi të theksuara për shumicën dhe garanci për respektimin e plotë të pakicave.
(Fund)




Walker: Reçaku ishte krim kundër njerëzimit, e jo konspiracion

PRISHTINË, 16. janar 2007. (KosovaLive) - 15 janari i vitit 1999 nuk ishte konspiracion i NATO-s, CIA-s dhe Pentagonit, por një masakër e tmerrshme, e cila edhe atëherë ishte cilësuar krim ndaj njerëzimit, tha ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker.

Duke folur të hënën në një akademi përkujtimore me rastin e 8 vjetorit të kësaj ngjarjeje, ish-shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, në vitet kur edhe është bërë masakra, ambasadori William Walker, tha se Reçaku ka paguar një çmim të lartë për lirinë e Kosovës.
“Kjo ngjarje duhet të mësohet nga fëmijët e Kosovës, jo për të nxitur urrejtje, por që një ngjarje e tillë të mos përsëritet kurrë më”, tha ai.
Sipas tij, sot ka ende zëra që thonë se Reçaku ka qenë konspiracion i NATO-s, CIA-s dhe Pentagonit.
“Mirëpo, e vërteta ishte se në Reçak vërtet kishte ndodhur një masakër e tmerrshme, e cila edhe atëherë është cilësuar krim ndaj njerëzimit”, tha Walker.
Kryeministri Agim Çeku, ndërkaq tha se masakra e Reçakut dhe të tjerat si ajo, i dëshmuan botës tmerrin që jetonin shqiptarët në Kosovë nga regjimi i Serbisë, duke u shndërruar në ngjarje që shënuan kthesën historike.
(Fund)




Në 8 vjetorin e masakrës, vihet gurthemeli i Memorialit Përkujtimor në Reçak

PRISHTINË, 16. janar 2007. (KosovaLive) - Në tetë vjetorin e masakrës së Reçakut të komunës së Shtimes dhe në prani të familjarëve e qytetarëve nga vise të ndryshme shqiptare, zyrtarë të lartë të institucioneve vendore e ndërkombëtare vunë gurthemelin e Memorialit Përkujtimor të Dëshmorëve dhe Viktimave të njërës prej masakrave më barbare.

Herët në mëngjesin e së hënës, shumë qytetarë nga vise të ndryshme të Kosovës dhe jashtë vendit, përfaqësues të familjes Jashari, zyrtarë të institucioneve të vendit, ish- drejtues të UÇK-së, veteranë të luftës, familjarët e viktimave etj, me kurora lulesh janë tubuar për të nderuar viktimat civile të masakrës së Reçakut, të vrarë më 15 janar të vitit 1999, nga forcat e kombinuara policore-ushtarake dhe paraushtarake serbe.
Vënien e gurthemelit e bënë kryeministri i Kosovës Agim Çeku, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari si dhe përfaqësues tjerë të institucioneve dhe organizatave tjera të Kosovës.
Në prag të përvjetorit të masakrës së Reçakut, ekzekutivi i vendit ka vendosur të ndajë një shumë prej 350 mijë eurosh për ndërtimin fillestar të Memorialit Përkujtimor të Dëshmorëve dhe Viktimave në Reçak. Bartës i këtij projekti, ndërkaq është Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në këtë projekt hyjnë punët fillestare për ndërtimin e Kompleksit Memorial, përfshirë rregullimin e varrezave, rregullimi e ambientit në përgjithësi, rrethojat etj.
(Fund)




Senati belg premton ndihmë për ligjet që e afrojnë Kosovën me BE-në

PRISHTINË, 16. janar 2006. (KosovaLive) - Një grup senatorësh nga Belgjika, përcollën të hënën në Prishtinë mesazhin se inkuadrimi i Kosovës brenda strukturave të Bashkimit Evropian (BE), kërkon plotësimin e disa standardeve evropiane, përfshirë edhe miratimin e një numri të caktuar të ligjeve.

Senatorët belg i bënë këto komente pas një takimi që zhvilluan me kryeparlamentarin Kolë Berisha. Këtij të fundit, ndërkaq i premtuan ndihmën e senatit belg për të forcuar efikasitetin e punës së legjislativit.
Delegacioni belg përbëhej nga senatori François Roelants du Viver, udhëheqës i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë dhe Mbrojtje, senatori Lionel Vandenberghe, nënkryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë dhe Mbrojtje, Gerda Moors, bashkëpunëtore dhe Wim Peeters, shef i Zyrës Ndërlidhëse Belge në Prishtinë.
Proceset aktuale në Kosovë, çështja e statusit dhe thellimi i bashkëpunimit të mëtejmë ndërparlamentar, thuhet të kenë qenë temat kryesore të takimit.
François Roelants du Viver, tha se vendi i tij e ndjek me vëmendje punën e Parlamentit të Kosovës, me të cilin Parlamenti Belg, siç tha ai, ka bashkëpunim mjaft të mirë.
(Fund)




Moisiu thotë se pavarësia e Kosovës prodhon stabilitet në Ballkan

TIRANË, 16. janar 2006. (KosovaLive) - Kosova duhet të jetë e pavarur dhe Shqipëria e mbështet këtë zgjidhje, e cila prodhon stabilitet në Ballkan, tha të hënën Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu.

Gjatë një takimi me ambasadorin gjerman në Tiranë, Hans Peter Annen, vendi i të cilit kryeson me Bashkimin Evropian (BE), Moisiu tha se zgjidhja e drejtë dhe sa më e shpejtë e statusit të saj, që për ne do të ishte një Kosovë e pavarur, demokratike e shumetnike, do të prodhonte paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.
Moisiu ka thënë edhe se integrimi i Shqipërisë në BE është një objektiv madhor për shtetin, politikën dhe popullin shqiptar. Në këtë kontekst, kryetari i shtetit vuri në dukje besimin e tij për një zhvillim normal të zgjedhjeve të 18 shkurtit për organet e qeverisjes vendore.
Nga ana e tij, ambasadori i Gjermanisë, Hans Peter Annen ka deklaruar se gjatë kësaj kohe, Gjermania e ka prioritet çështjen e Kosovës, kushtetutën e BE-së, të ardhmen e ambientit dhe ekonomisë së Evropës.
(Fund)




<< 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 >>
SEARCH
Key words

From date

Till date


FORUMI

Fjalimi i përgaditur nga Don Shan Zefi, Kancelar ipeshkvinor, Kisha Katolike

Konferenca Ndërfetare mbi Koegzistencën Paqësore dhe Dialog
Patriarkana e Pejës
Pejë 2 -3 Maj 2006


© 1998-2005 CDRSEE, KosovaLive, Medijski Centar Beta
Përmbajtja e faqes së internetit www.kosovakosovo.com është përgjegjësi e Qendrës për Demokraci dhe Pajtim, Agjencisë së Lajmeve KosovaLive dhe Qendrës Mediale Beta, dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e donatorëve për Forumin Informativ Shqiptaro-Serb.